Izrael, zgjedhje të reja pasi kryeministri nuk arrin të formojë qeverinë

Azia

Izrael, zgjedhje të reja pasi kryeministri nuk arrin të formojë qeverinë

Më: 30 maj 2019 Në ora: 17:31
Izrael

Izraeli do të zhvillojë zgjedhje të reja, pasi Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk arriti të formojë qeverinë e re brenda afatit që skadoi të enjten. Zoti Netanyahu fitoi zgjedhjet e 9 prillit dhe mendohej se ai gëzonte mbështetje të mjaftueshme për të formuar qeverinë.

Pas disa javë negociatash me parti më të vogla, ai nuk arriti të siguronte 61 vende në parlamentin me 120 anëtarë. Kryeministri Netanyahu ndeshet me akuza për korrupsion që mund të kenë kontribuuar në dobësimin e pozitave të tij.

Të shtunën protestuesit izraelitë zhvilluan një demonstratë masive në Tel Aviv kundër një projekt-ligji, që do t’i jepte zotit Netanyahu imunitet nga akuzat për korrupsion:

“Parlamenti izraelit nuk duhet të bëhet strehë për kriminelët. Duhet të veprojmë. Synimi është të sjellim njerëz më të pastër dhe me moral më të lartë në parlament,” thotë një protestues.

Të mërkurën, radioja izraelite njoftoi se bashkëshortja e kryeministrit, Sara, kishte arritur kompromis me autoritetet në një hetim për mashtrime ku ajo akuzohet se ka shpërdoruar fonde shtetërore për darka me porosi. Në bazë të marrëveshjes për të mbyllur çështjen, ajo do t’i paguajë shtetit më shumë se 12 mijë dollarë rimbursim.

Kryeministri përballet me tre hetime të tjera për korrupsion. Ai mohon të ketë kryervepra penale, por analistët thonë se këto skandale kanë kontribuuar në thellimin e kokëçarjeve të tij politike.

“Nëse kryeministri nuk do të ishte duke u marrë në pyetje dhe në prag të përballjesme akuza, mendoj se do ta kishte shumë më të lehtë të formonte qeverinë, të tërhiqte politikanë të qendrës dhe t’ua bënte më të lehtë partive të tjera të përfshiheshin në koalicion,” thotë Yohanan Plesner, President i Institutit Izraelit për Demokraci.

Në kushtet aktuale, një parti laike e krahut të djathtë i ka vënë zotit Netanyahukushte që ai nuk është i gatshëm t’i pranojë. Udhëheqësi i partisë Avigdor Liebermankëmbëngul për miratimin e një ligji për shërbimin e detyrueshëm ushtarak që nuk përjashton hebrenjtë ortodoksë.

“Kur të miratohet varianti i dytë dhe i tretë i ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në formën origjinale (pa përjashtime), ashtu siç u miratua varianti i parë, çdo gjë përfundon. Kjo e ndryshon situatën, duke na çuar në krijimin e qeverisë, në vend që të bëjmë zgjedhje të reja,” tha zoti Lieberman.

Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin tha dje se kishte dy opsione: t’i besonte një kandidati tjetër detyrën e formimit të qeverisë, ose të deklaronte zgjedhje të reja.

“Nëse do të bëjmë zgjedhje të reja, zoti Netanyahu ka gjasa që përsëri të fitojë,” thotë analisti Plesner.

Zgjedhjet e reja do t’i kushtonin shtrenjtë Izraelit dhe udhëheqësit politikë kanë thënë se do të bëjnë të pamundurën për t’i shmangur. Por këto zgjedhje do t’i jepnin politikanit veteran Netanyahu disa muaj shtesë për t’u përpjekur për kompromis./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat