Diplomati amerikan viziton Sudanin në kohën e krizës

Azia

Diplomati amerikan viziton Sudanin në kohën e krizës

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 08:28
Kartum, Sudan

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për çështje të Afrikës, Tibor Nagy, do të udhëtojë këtë javë në Sudan, për shkak të trazirave atje.

Sudani qeveriset nga ushtria prejse presidenti Omar al-Bashir u përmbys nga pushteti, gjatë një puçi në muajin prill.

Që atëherë vazhduan edhe protestat me kërkesën që vendi të udhëhiqet nga një qeveri civile.

Dhjetëra njerëz u vranë gjatë përleshjeve të ditëve të fundit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Nagy "do t'i nxisë palët të punojnë drejt krijimit të një mjedisi të përshtatshëm për bisedime".

Ai po ashtu do ta diskutojë situatën me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë midis këshillit ushtarak dhe opozitës në Sudan.

Bashir, i cili sundoi Sudanin për dekada, u rrëzua dhe u arrestua pas disa muajsh protesta kundër qeverisë së tij.

Por, protestuesit i vazhduan tubimet, duke thënë se krerët e rinj ushtarakë janë vetëm vazhdim i regjimit të Bashirit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat