U mundua ta bënte një trik në lumë, zhduket magjistari indian

Azia

U mundua ta bënte një trik në lumë, zhduket magjistari indian

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 11:31
Ilustrim

Një magjistar indian, i cili u përpoq ta rikrijonte trikun e famshëm të Harry Houdinit përmes kërcimin në lumë i lidhur me zinxhir, është zhdukur në ujë dhe besohet se ka vdekur.

Chanchal Lahiri, i cili njihet edhe me nofkën “Mandrake”, pritej të dilte vetë nga lumi dhe të notonte deri në breg të tij, por ai nuk u pa më në lumin “Hooghly”, i cili ndodhet në rajonin e Bengalit Perëndimor.

Njerëzit që ishin mbledhur ta përcillnin veprimin e tij e lajmëruan policinë, të cilët thanë se i kanë filluar kërkimet për gjetjen e tij.

Magjistari ishte lidhur me zinxhir dhe me gjashtë dryna, ndërsa njerëzit e shikonin nga dy barka afër tij. Shumë njerëz të tjerë e përcillnin shfaqjen edhe nga bregu i lumit dhe nga një urë.

Policia dhe një ekip i zhytësve filluan ta kontrollojnë zonën, por deri të dielën në mbrëmje nuk arritën ta gjenin trupin e magjistarit.

Jayant Shaw, i cili punon si fotograf për një gazetë lokale, ishte dëshmitar kur magjistari u lëshua në lumë. Ai tha se ka biseduar me të para se ta niste këtë veprim.

“E pyeta se pse e rrezikonte jetën e tij për magji. Ai qeshi dhe më tha se nëse puna i shkon mirë, është magji dhe nëse i shkon keq, do të jetë tragjedi”, tha fotografi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat