Eskalon protesta në Hong Kong, protestuesit futen në ndërtesën e kuvendit

Azia

Eskalon protesta në Hong Kong, protestuesit futen në ndërtesën e kuvendit

Më: 1 korrik 2019 Në ora: 16:42
Eskalon protesta në Hong Kong, protestuesit futen në ndërtesën e kuvendit

Protestuesit në Hong Kong kanë arritur t’i kalojnë pengesat dhe forcat e sigurisë për të hyrë në ndërtesën e kuvendit, disa orë pasi e kishin rrethuar atë.

Dhjetëra protestues i thyen xhamat e ndërtesës së Këshillit Legjislativ, ndërsa një numër i madh i protestuesve të tjerë i shikonin ata nga jashtë. Më vonë, qindra protestues u futën brenda ndërtesës. Ata bënë mbishkrime të ndryshme me ngjyrë të zezë nëpër mure dhe e zunë hapësirën e kuvendit.

Gjatë paradites së të hënës, policia paralajmëroi se do ta përdorë forcën, nëse protestuesit i thyejnë xhamat e kësaj ndërtese. Më vonë, ata thanë se do ta arrestojnë secilin person që e kalon portën e metaltë të saj.

Sidoqoftë, forcat e sigurisë vendosën të mos reagojnë ndaj veprimeve të protestuesve, të cilët ishin të pajisur me helmeta dhe ombrella.

Gjatë përleshjeve të mëhershme, policia ka përdorur sprej dhe shkopinj për ta kontrolluar grumbullin e madh të protestuesve.

Këta protestues dolën të hënën në rrugë për ta shënuar përvjetorin e kalimit të pushtetit nga Britania e Madhe te Kina.

Ata kanë protestuar disa ditë me radhë për shkak të një projektligji kundërthënës, me të cilin do të mundësohej ekstradimi i qytetarëve të dyshuar të Hong Kongut në Kinë.

Qeveria e ka suspenduar miratimin e tij për një kohë të pacaktuar, por protestuesit po kërkojnë largimin e plotë të tij dhe dorëheqjen e udhëheqëses së Hong Kongut, Carrie Lam, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat