Arrihet marrëveshja për qeverisjen e Sudanit

Azia

Arrihet marrëveshja për qeverisjen e Sudanit

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 10:04
Sudani gjatë trazirave disa mujore

Gjeneralët e ushtrisë, që po udhëheqin me Sudanin, kanë arritur marrëveshje për ndarjen e pushtetit me organizatorët e protestave.

Kjo marrëveshje, mund të shënojë fundin e ndarjeve politike dhe trazirave, që kanë shoqëruar vendin në muajt e fundit.

“Të dyja palët ranë dakord të krijojnë një Këshill sovran përmes rotacionit midis ushtrisë dhe civilëve, për një periudhë prej tre vjetësh, ose pak më shumë", tha Mohamed Hassan Lebatt, një ndërmjetës i Unionit Afrikan.

Ata, gjithashtu ranë dakord, të krijonin një qeveri të pavarur teknike, dhe të fillonin një hetim transparent dhe të pavarur mbi ngjarjet e dhunshme në javët e fundit, në të cilat dhjetëra protestues u vranë pas një goditje nga forcat e sigurisë.

Në muajin prill, ushtria e Sudanit njoftoi se ka rrëzuar nga posti, presidentin Omar al-Bashir, pas 30 vjetësh të sundimit të tij në shtetin afrikan.

Protestat që kishin filluar para rrëzimit të tij nga pushteti, vazhduan duke kërkuar që vendi të ketë një qeveri civile, dhe të mos udhëhiqet nga gjeneralët e ushtrisë.

Protestuesit pretendonin se krerët e rinj ushtarakë janë vetëm vazhdim i regjimit të Bashirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat