Zelanda e Re fillon blerjen e armëve gjysmautomatike nga qytetarët

Azia

Zelanda e Re fillon blerjen e armëve gjysmautomatike nga qytetarët

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 08:47
Ilustrim

Dhjetëra pronarë të armëve në Christchurch të Zelandës së Re ia kanë dorëzuar ato policisë së shtetit në këmbim të të hollave në njërën prej 250 organizimeve të planifikuara në të tërë vendin pasi qeveria i bëri ilegale shumë lloje të armëve gjysmautomatike.

Zyrtarët policorë njoftuan se i kanë paguar më shumë se 200 mijë dollarë për 68 pronarë armësh vetëm gjatë orëve të para të këtij organizimi, i cili filloi të shtunën.

Në prill të këtij viti, deputetët e Zelandës së Re e miratuan me procedurë të përshpejtuar legjislacionin e ri për mbajtje të armëve të tipit ushtarak pasi 51 njerëz u vranë në dy xhami të qytetit Christchurch më 15 mars.

Lidhur me këtë rast, australiani Brenton Tarrant është ngarkuar me 51 akuza për vrasje, 40 akuza për tentim-vrasje dhe një akuzë për përfshirje në terrorizëm lidhur me sulmin në Christchurch. Sidoqoftë ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Ai pritet të dalë para gjykatësve më 4 maj të vitit 2020.

Ligji për ndalimin e mbajtjes së armëve gjysmautomatike ishte miratuar me 119 vota në Dhomën e Përfaqësuesve pas një procesi të përshpejtuar të debatit publik. Qeveria e Zelandës së Re i ka ndarë 200 milionë dollarë për blerjen e armëve të ndaluara nga qytetarët, ndonëse shumë pronarë janë shprehur të pakënaqur me ofertën e qeverisë për çmimet e ofruara.

Sipas ligjit të ri, pronarët e armëve kanë afat deri në dhjetor për t’i dorëzuar ato dhe dorëzimi i tyre nuk do të pasohet nga ndjekja penale gjatë kësaj periudhe. Besohet se qytetarët e Zelandës së Re i mbajnë nga 1.2 deri 1.5 milionë armë, shkruan “The Guardian".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat