Dobësohet rritja ekonomike e Kinës - Bota Sot
Dobësohet rritja ekonomike e Kinës

Azia

Dobësohet rritja ekonomike e Kinës

Më: 15 korrik 2019 Në ora: 08:55
Foto ilustrim

Rritja ekonomike e Kinës është ngadalësuar më së shumti në tri dekadat më të fundit gjatë çerekut të dytë të këtij viti. Besohet se në këtë gjendje kanë ndikuar lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe rënia e kërkesës në nivel botëror.

Ky dobësim pritet t’ia bëjë më të vështirë presidentit kinez, Xi Jinping, luftën kundër masave tregtare të Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë vendosur taksa ndaj Kinës për t’i bërë presion asaj për ta hapur më shumë tregun.

Shifra e rritjes ekonomike prej 6.2 për qind, e cila u publikua nga Byroja e Statistikave, ishte parashikuar edhe më parë nga analistët, por është më e vogël se rritja prej 6.4 për qind në çerekun e parë të vitit 2019.

Sidoqoftë, kjo rritje është brenda kornizës qeveritare për zhvillim ekonomik, në të cilën parashihet rritje nga 6.0 deri 6.5 për qind, por është më e ulët se rritja prej 6.6 për qind, e cila u shënua vitin e kaluar.

“Kushtet ekonomike janë ende të rënda brenda dhe jashtë shtetit, rritja ekonomike botërore po ngadalësohet dhe paqartësitë e mungesa e stabilitetit po rriten”, tha Mao Shengyon, zëdhënës i Byrosë Kineze të Statistikave.

Pekini këtë vit ka marrë masa për nxitjen e rritjes ekonomike, por ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i mbuluar efektet e rënies së kërkesës në nivel botëror dhe luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara, me të cilat Kina e ka shkëmbimin më të madh në biznes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...