Kina paralajmëron luftë, nëse bëhen lëvizje për pavarësinë e Tajvanit

Azia

Kina paralajmëron luftë, nëse bëhen lëvizje për pavarësinë e Tajvanit

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 15:25
Foto ilustrim

Kina ka paralajmëruar se është e gatshme të zhvillojë luftë, nëse bëhet ndonjë veprim drejt pavarësisë së Tajvanit, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara për cenim të stabilitetit botëror dhe duke e dënuar shitjen e armëve në Tajvan.

Pentagoni njoftoi më herët këtë muaj se Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar kërkesën e Tajvanit për blerje të armëve, përfshirë tanket dhe raketat. Vlera e përgjithshme e këtyre armëve është 2.2 miliardë dollarë.

Kina u kundërpërgjigj ndaj këtij vendimi duke thënë se do të vendosë sanksione për të gjitha kompanitë amerikane, që janë të përfshira në çfarëdo marrëveshje.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës, Wu Qian, tha përmes një deklarate se Kina do t’i bëjë përpjekjet maksimale për një ribashkim paqësor me Tajvanin. “Megjithatë, ne duhet të theksojmë fuqishëm se kërkimi i pavarësisë së Tajvanit është një fund i vdekur”, tha ai.

“Nëse ka njerëz që guxojnë të provojnë që ta ndajnë Tajvanin nga shteti, ushtria e Kinës do të jetë e gatshme për të shkuar në luftë për ta ruajtur sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial”, shtoi ky zëdhënës.

Shtetet e Bashkuara janë furnizuesja kryesore me armë për Tajvanin, ndonëse vendet nuk kanë marrëdhënie zyrtare mes vete. Në anën tjetër, Pekini asnjëherë nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për ta kthyer këtë ishull nën kontroll, shkruan “Reuters”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat