Talibanët thonë se s’ka marrëveshje për bisedime direkte me Qeverinë afgane

Azia

Talibanët thonë se s’ka marrëveshje për bisedime direkte me Qeverinë afgane

Më: 28 korrik 2019 Në ora: 15:19
Zyra politike e talibanëve në Doha të Katarit.

Talibanët kanë hedhur poshtë një deklaratë të bërë nga një ministri afgan, lidhur me planet për bisedime direkte gjatë këtij muaji, ndërmjet grupit militant dhe Qeverisë në Kabul.

Suhail Shaheen, zëdhënës i zyrës politike të talibanëve në Katar, tha sot se bisedimet me Qeverinë do të zhvillohen vetëm pasi të arrihet një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara lidhur me largimin e forcave të huaja nga Afganistani.

Një zëdhënës tjetër i talibanëve, Zabihullah Mujahid tha se nuk “ka pasur marrëveshje” lidhur me një takim ndërmjet talibanëve dhe zyrtarëve qeveritarë afganë.

Kur të arrihet marrëveshja ndërmjet grupit militant dhe SHBA-së, talibanët do të nisin bisedimet ndër-afgane, tha Mujahid, duke insistuar se çdo zyrtar qeveritarë duhet të marrë pjesë në këto bisedime në kapacitet personal.

Këto komente vijnë një ditë pasi Abdul Salam Rahimi, ministri afgan për Çështje të Paqes, u tha gazetarëve se delegacioni 15-anëtarësh i Qeverisë afgane po “përgatitet për bisedime direkte” me talibanët.

“Po punojnë me të gjitha palët dhe shpresojnë që në dy javët e ardhshme, takimi i parë do të mbahet në ndonjë shtet evropian”, tha Raihimi, teksa i dërguari i SHBA-së për paqe, Zalmay Khaliltzad po vizitonte Kabulin.

Khalilzad pritet që të kthehet gjatë javës së ardhshme në Katar, për të mbajtur raundin e tetë të bisedimeve ndërmjet zyrtarëve të SHBA-së dhe negociatorëve talibanë, në bisedimet që kanë për qëllim t’i japin fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.

Si Uashingtoni, po ashtu edhe talibanët, së fundmi kanë thënë se kanë bërë përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje të paqes, e cila kërkon bisedime direkte ndërmjet talibanëve dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Afganistanit.

Deri më tani, talibanët kanë refuzuar që të bisedojnë me Qeverinë në Kabul, duke thënë se kjo qeveri është një “kukull” e shteteve të huaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat