Zyrtarët afganë shprehin shqetësim për draft marrëveshjen për paqe

Azia

Zyrtarët afganë shprehin shqetësim për draft marrëveshjen për paqe

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 15:11
Përfaqësuesi i SHBA-së për Afganistan, Zalmay Khalizad.

Zyrtarët afganë kanë thënë se mbështesin përparimin drejt arritjes së paqes mirëpo janë të shqetësuar për një draft të marrëveshjes së arritur “në mirëbesim” në mes të negociatorëve amerikanë dhe atyre talibanë, për t’i dhënë fund konfliktit 18-vjeçar në këtë Afganistan.

Zëdhënësi i presidencës afgane, Sediq Sediqqi ka thënë në disa postime në rrjetin social Twitter se pavarësisht pse ka parë dokumentin, ekzistojnë dilema se si do të zbatohet kjo marrëveshje.

“Qeveria afgane mbështet secilin përparim në procesin e paqes që do të rezultojë me paqe afatgjatë dhe do t’i japë fund luftës në Afganistan. Megjithatë shqetësimi kryesor i qeverisë afgane në marrëveshjen e SHBA-së me talibanët ka të bëjë me pasojat dhe rreziqet. Si do të parandalohen?”, ka thënë ai.

Zalmay Khalilzad, diplomati amerikan që ka drejtuar për gati një vit negociatat me talibanët në Katar, i ka thënë Radios Evropa e Lirë këtë javë se të dyja palët kanë pajtuar për një marrëveshje “në mirëbesim” për t’iu dhënë fund armiqësive.

Sipas draft-marrëveshjes, talibanët janë pajtuar që secili territor afgan që kontrollojnë në të ardhmen, nuk do të shfrytëzohet si strehë për terroristët të cilët synojnë të nisin sulme kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Negociatorët amerikanë dhe talibanë po ashtu janë pajtuar për “tërheqje” graduale të forcave perëndimore nga Afganistani, ka thënë Khalizad.

Lajmet për marrëveshje kanë shtyrë nëntë ish-ambasadorë amerikanë që të paralajmërojnë më 3 shtator se Afganistani mund të futet në “luftë të plotë civile” nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin forcat para një marrëveshjeje “të vërtetë” për paqe, që përfshin qeverinë e Kabulit.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se Uashingtoni do të përgjysmojë numrin e trupave në Afganistan, nëse arrihet marrëveshja.

Talibanët, të cilët refuzojnë të negociojnë me qeverinë afgane, meqë e konsiderojnë kukull të perëndimit, kanë kërkuar për një kohë të gjatë tërheqje të plotë të të gjitha forcave të huaja nga ky shtet.

Aktualisht në Afganistan janë rreth 20,000 trupa të huaja, shumica prej tyre amerikanë, në kuadër të misionit të NATO-s, për trajnim, ndihmë dhe këshillim të forcave afgane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat