Katastrofa në Fukushima: Tre ish-shefat nuk gjenden fajtorë - Bota Sot
Katastrofa në Fukushima: Tre ish-shefat nuk gjenden fajtorë

Azia

Katastrofa në Fukushima: Tre ish-shefat nuk gjenden fajtorë

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 16:43
Një punëtor i Tokyo Electric Power mat nivelin e radioaktivitetit në centralin bërthamor të Fukushimës. Fotografi nga arkivi.

Më shumë se tetë vjet pas katastrofës bërthamore në Fukushima të Japonisë, një gjykatë e këtij vendi i shfajësoi tre ish-udhëheqësit e kompanisë që operonte me centralin bërthamor nga akuza për neglizhencë profesionale.

Ka qenë ky rasti i vetëm penal që është ngritur pas katastrofës, e cila ka qenë më e keqja pas asaj që ka ndodhur në Çernobil, më 1986.

Në vitin 2011, centrali, i operuar nga kompania Tokyo Electric Power, është goditur nga një cunami, që ka shkaktuar rrjedhje radioaktive.

Për pasojë, mbi 470,000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Afro 18,500 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur nga cunami.

Tre ish-udhëheqësit e kompanisë Tokyo Electric Power: Tsunehisa Katsumata, Sakae Muto dhe Ichiro Takekuro, janë akuzuar për moszbatim të kundërmasave ndaj cunamit.

Dyzetekatër njerëz kanë vdekur në Fukushima, por asnjëri nuk është prekur drejtpërdrejt nga rrjedhja radioaktive.

Në aktgjykimin e shumëpritur, gjykata në Tokio i shpalli tre të akuzuarit të pafajshëm.

Gjyqi ka filluar në qershor të vitit 2017. Prokurorët, dhjetorin e kaluar, kanë kërkuar dënim me nga pesë vjet burgim për secilin, duke i akuzuar për neglizhencë profesionale në mosmarrjen e masave kundër kërcënimeve nga cunami, pavarësisht se kanë qenë në dijeni për rrezikun.

Në vendimin e gjykatës thuhet se tre zyrtarët e kompanisë së njohur si TEPCO kanë qenë të vetëdijshëm për nevojën e përmirësimit të masave kundër cunamit dhe se kanë shqyrtuar ndërmarrjen e hapave, porse masat e tyre kanë qenë në përputhje me standardet e qeverisë në atë kohë.

Image
Disa punëtorë, të veshur me rroba mbrojtëse dhe maska, punojnë në dekontaminimin e qytetit Tomioka, që gjendet pranë centralit bërthamor në Fukushima. Foto nga arkivi.

Lirimi i tre zyrtarëve të TEPCO-s ka zhgënjyer qindra banorë të Fukushimës dhe mbështetësit e tyre.

Hiroyuki Kawai, avokat që përfaqëson mbi 5,000 banorë të Fukushimës, tha para shpalljes së vendimit se pret që beteja ligjore të zgjasë rreth një dekadë, sepse pala humbëse do të apelojë.

"Ky është vetëm fillimi i një beteje të madhe", tha ai.

TEPCO nuk pranoi të komentojë aktgjykimin, por përsëriti kërkimfaljen për shqetësimet që ka shkaktuar katastrofa. TEPCO ka shpenzuar 83 miliardë dollarë për kompensimet në lidhje me katastrofën. Kompania duhet të shpenzojë rreth 74 miliardë dollarë për çmontimin e reaktorit dhe 55 miliardë për dekontaminim./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...