Kina shënon 70-vjetorin e sundimit komunist - Bota Sot
Kina shënon 70-vjetorin e sundimit komunist

Azia

Kina shënon 70-vjetorin e sundimit komunist

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 12:36
Kina shënon 70-vjetorin e sundimit komunist

Kamionë që transportonin armë, përfshirë raketa bërthamore, parakaluan të martën në Pekin, për të shënuar 70-vjetorin e Kinës komuniste.

“Asnjë forcë nuk mund të lëkundë statusin e atdheut tonë dhe asnjë forcë nuk mund të ndalojë përparimin e popullit kinez dhe të kombit kinez”, tha presidenti Xi Jinping.

Në Sheshin Tiananmen, ku mbajti fjalimin, ai u shoqërua nga udhëheqës të tjerë kinezë, përfshirë kryeministrin Li Keqiang dhe ish-presidentët Hu Jintao dhe Jiang Zemin.

Ngjarja shënoi përvjetorin e 1 tetorit, 1949, datë kur u themelua Republika Popullore e Kinës nga lideri i atëhershëm Mao Zedong.

Në kujtim të tij, Xi e mbajti fjalimin të martën në vendin ku Mao shpalli krijimin e Republikës, pas një lufte civile.

Xi hyri në një makinë të hapur dhe kaloi para dhjetëra rreshtave të kamionëve me raketa, transportuesve të blinduar dhe mjeteve të tjera ushtarake.

Ushtarët në helmeta dhe veshje luftarake brohorisnin: "Përshëndetje, udhëheqës", Xi përgjigjej: "Përshëndetje, shokë".

Parada nxori në pah zhvillimin e shpejtë të armëve kineze, që, sipas analistëve të huaj, mund t’iu afrohen raketave dhe dronëve të SHBA-së, Rusisë dhe Evropës.

Ushtria Çlirimtare e Kinës, më e madhja në botë, me dy milionë burra dhe gra në uniformë, gjithashtu po punon në ndërtimin e avionëve luftarakë dhe në një brez të ri të nëndetëseve me energji bërthamore.

Një nga armët që u zbulua të martën ishte Dongfeng-17, avion me kapacitet bërthamor, që, sipas analistëve, është krijuar për të manovruar me shpejtësi të madhe.

Një tjetër raketë e shfaqur, Dongfeng-41, besohet se ka rrezen e veprimit deri në 15,000 kilometra, çfarë do ta bënte raketën me rrezen më të gjatë të veprimit në botë.

Analistët thonë se Dongfeng-41 ka kapacitet për të bartur deri në dhjetë koka bërthamore, që do të godisnin caqe të ndryshme.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, Ushtria Çlirimtare e Kinës i ka pasur shpenzimet e dyta më të larta ushtarake në botë vitin e kaluar: 250 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara, me një forcë prej 1.3 milion njerëzish, kanë udhëhequr në shpenzime, më 2018, me 650 miliardë dollarë.

Kina ka rreth 280 koka bërthamore, krahasuar me 6,450 sa ka SHBA-ja dhe 6,850 sa ka Rusia.

Pekini thotë se dëshiron minimumin një parandalues të besueshëm bërthamor, porse nuk do të jetë i pari që përdor armët atomike në një konflikt.

Kina ka zhvilluar aftësi ushtarake "që mund të arrijnë kundërshtarët e mundshëm në gjithë globin", ka thënë Agjencia amerikane e Inteligjencës së Mbrojtjes në një raport të publikuar në janar.

Çfarë po ndodh në Hong Kong?

Megjithatë, përvjetori i së martës u përcoll me protesta të dhunshme në Hong Kong, ku mijëra njerëz dolën në rrugë për të kundërshtuar, siç thonë, rritjen e kontrollit të Pekinit mbi shoqërinë dhe politikat e territorit të tyre.

Siguria atje u rrit ndjeshëm, me vënien e rreth 6,000 oficerëve në detyrë.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në disa qarqe.

Hong Kongu është pjesë e Kinës që nga viti 1997, por ka organizimin e vet të ligjit dhe qeverisjes, i njohur si “një shtet, dy sisteme”.

Në një fjalim në prag të festimeve të 70-vjetorit, presidenti Xi tha se do të vazhdojë "të zbatoj plotësisht dhe me besnikëri" parimet e këtij sistemi.

Por, viteve të fundit, janë rritur kundërshtimet ndaj asaj që shihet si ndikim gjithnjë e më i madh i Pekinit në shoqërinë dhe politikën e Hong Kongut.

Në Hong Kong, tash e sa muaj, vazhdojnë edhe trazirat e shkaktuara nga disa ndryshime të propozuara në Ligjin e ekstradimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...