Koreja Veriore konfirmon testimin e raketës balistike

Azia

Koreja Veriore konfirmon testimin e raketës balistike

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 09:11
Një ushtar verikorean duke shikuar raportimet për testim të raketës balistike.

Koreja Veriore ka konfirmuar testimin e një rakete të re balistike, duke përshkallëzuar kështu situatën prej kohës kur ka testuar raketa me rreze të shkurtër veprimi në muajin maj.

Raketa, e cila ka kapacitet për bartje të armëve bërthamore, shënon herën e 11-të të testimit të raketave këtë vit në territorin verikorean.

Mirëpo kjo e fundit, e nisur nga zona detare, ka kapacitet që të niset nga një nëndetëse.

Prandaj lansimi i kësaj rakete është i rëndësishëm sepse nënkupton që Koreja Veriore mund të nisë raketa jashtë territorit të vet.

Sipas zyrtarëve jugkoreanë, raketa ka përshkuar 450 kilometra dhe ka arritur lartësinë prej 910 kilometrave para se të binte në det.

Ky testim ka ndodhur vetëm disa orë pasi Koreja Veriore ka thënë se do të rinisin negociatat me Shtetet e Bashkuara për çështjet bërthamore.

Departamenti amerikan i Shtetit u është përgjigjur testimeve, duke i bërë thirrje Phenjanit që të “frenojë provokimet” dhe “të jetë i angazhuar në negociata” që synojnë të rezultojnë me denuklearizim.

Negociatat në mes të SHBA-së dhe Koresë Veriore kanë ngecur prej samitit të mbajtur në Hanoi, në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit verikorean, Kim Jong-un, i cili ka përfunduar pa marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat