Qindra protestues në Hong Kong - paralizohet sistemi i transportit

Azia

Qindra protestues në Hong Kong - paralizohet sistemi i transportit

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 14:19
Hong Kong

Sistemi i transportit të metrove në Hong Kong është paralizuar të shtunën, si dhe dyqanet e qendrat tregtare janë mbyllur pas një nate të dhunshme të protestave ku mbeti i qëlluar një adoleshent nga autoritetet.

Protestat e së premtes erdhën pas vendimit të lideres Carrie Lam për ndalimin e mbajtjes së maskave gjatë protestave.

Udhëheqësja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se kjo masë synon "të kthejë paqen" në kohën kur rendi publik "është në rrezik".

Por, përkundër këtij vendimi, qindra protestues pro-demokracisë, me maska, vërshuan rrugët e Hong Kongut të shtunën.

“Nuk e dijmë se çfarë mund të ndodh më vonë, por ne e shohim nevojën që të dëshmojmë se është e drejtë e jona të mbajmë maska”, tha një protestuese e cila po mbante një maskë të zezë dhe syze.

Protestat në Hong Kong kanë nisur tash e sa muaj, fillimisht kundër një ligji për ekstradimin, e cili më pas është tërhequr.

Protestat më pas janë zgjeruar në fushatë kundër Kinës, pasi, sipas protestuesve, Pekini po e rrit gjithnjë e më shumë ndërhyrjen në autonominë e Hong Kongut.

Shumë protestues kanë dalë në rrugë duke veshur maska për të fshehur identitetin nga punëdhënësit, nga frika se autoritetet mund t'iu bëjnë presion bizneseve për t'i ndëshkuar ata.

Shkelësit e ligjit të ri do të përballen me dënim deri në një vit burgim dhe me gjobë deri në 3,200 dollarë.

Mbi 1,750 njerëz janë ndaluar deri më tani si rezultat i protestave.

Hong Kongu është pjesë e Kinës që nga viti 1997, por ka organizimin e vet të ligjit dhe qeverisjes, i njohur si “një shtet, dy sisteme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat