Gjykatësi tajlandez qëllon veten me armë në Gjykatë pasi kritikon sistemin e drejtësisë

Azia

Gjykatësi tajlandez qëllon veten me armë në Gjykatë pasi kritikon sistemin e drejtësisë

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 21:41
Kanakorn Pianchana

Një gjykatës tajlandez ka qëlluar veten në gjykatore pasi ka mbajtur një fjalim të rrallë kundër sistemit të drejtësisë në vendin e tij.

Kanakorn Pianchana liroi nga akuzat për vrasje pesë burra myslimanë të premten para se të bënte thirrje për një gjyqësor më të drejtë.

Ai më pas recitoi një betim ligjor, nxori një pistoletë dhe qëlloi veten në gjoks, raporton BBC.

Por gjykatësi shpëtoi dhe u dërgua me urgjencë në spital ku po shërohet nga plagët, transmeton Koha.net.

Një deklaratë që besohet të jetë shkruar nga gjykatësi para se të jepte vendimin bën me dije se tentim-vetëvrasja e tij mund të ketë qenë e lidhur me ndërhyrje të pretenduara në rastin.

Çfarë ndodhi në gjykatë?

Gjykatësi punonte në gjykatën Yala në jugun e Tajlandës, pjesë kjo e goditur nga kryengritësit.

Pasi liroi nga akuzat pesë burrat për vrasje dhe përdorim armësh, ai iu drejtua gjykatës me një fjalim të flaktë të cilin e transmetoi direkt në Facebook.

“Duhet të keni dëshmi të pastra dhe të besueshme për të dënuar dikë. Prandaj, nëse s’jeni të sigurt, mos i dënoni ata”, tha ai.

“Nuk po them se pesë të pandehurit nuk i kanë kryer krimet, pasi që ata edhe mund t’i kenë kryer”, shtoi ai.

“Por procesi gjyqësor duhet të jetë transparent dhe kredibil.... të dënosh njerëz të gabuar i bën ata ‘kurbane’”.

Më pas transmetimi direkt në Facebook u ndërpre, mirëpo të pranishmit në gjykatë thanë se gjykatësi lexoi një betim ligjor para portretit të ish-mbretit tajlandez para se të nxirrte një pistoletë dhe të qëllonte veten.

Ai u dërgua me urgjencë në spital ku raportohet të jetë në gjendje stabile.

Përse e bëri këtë veprim?

Nuk është ende krejtësisht e qartë përse gjykatësi Pianchana tentoi të vriste veten.

Suriyan Hongvilai, zëdhënës i Zyrës së Gjyqësorit, ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP se ai e qëlloi veten për shkak të “stresit personal”.

Por mediat lokale raportuan se gjykatësi mund t’i jetë referuar pikërisht rastit në të cilin mori vendim.

Një deklaratë që besohet të jetë shkruar nga gjykatësi dhe është postuar në Facebook para se ai të qëllonte veten theksonte se ai ka pasur presion për t’i shpallur pesë burrat fajtorë pavarësisht mungesës së fakteve.

“Në këtë moment, gjykatësit tjerë të Gjykatës së Shkallës së Parë në mbarë vendin po trajtohen sikurse u trajtova unë”, shkroi ai.

“Nëse s’mund të mbajë betimin e zyrës, më me dëshirë vdes sesa të jetoj pa nder”.

Kritikat ndaj sistemit gjyqësor nga gjykatësit janë jashtëzakonisht të rralla në Tajlandë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat