Irani: Një transportuese e naftës është goditur nga raketat

Azia

Irani: Një transportuese e naftës është goditur nga raketat

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 14:04
Ilustrim

Një anije iraniane për transportim të naftës është goditur me raketa në gjirin e Arabisë Saudite, duke shkaktuar rrjedhje të naftës në Detin e Kuq, ka thënë Kompania Kombëtare e Anijeve Iraniane.

Kjo kompani shtetërore ka thënë se anija është qëlluar nga dy shpërthime të ndara rreth 100 kilometra larg portit të qytetit saudit, Jeddah.

Në deklaratë është thënë se shpërthimet “ka mundësi të jenë shkaktuar nga sulmet me raketa”.

Zyrtarët sauditë ende nuk janë deklaruar për këtë incident që ka ndodhur në kohën e rritjes së tensioneve në rajon.

Stafi i anijes është thënë të jetë në gjendje të sigurt dhe anija aktualisht është stabile.

Ky incident, që ka ndikuar menjëherë në rritjen e çmimit të naftës së papërpunuar, mund të ndikojë në rritjen e tensioneve në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara me aleatët e saj.

Kjo pasi më 14 shtator, një sulm me dronë dhe raketa ka dëmtuar rafinerinë më të madhe në naftës në Arabinë Saudite, duke ndikuar në zvogëlim të furnizimit me naftë në botë për 5 për qind.

Sulmi është pretenduar të jetë kryer nga rebelët huthi në Jemen, mirëpo Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e Evropës Perëndimore kanë fajësuar Iranin.

Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Teheranin edhe për dy sulme në anije transportuese në Gjirin Persik në korrik dhe gusht, si dhe për disa sulme tjera në katër anije transportuese në muajin maj.

Irani në anën tjetër ka mohuar përfshirjen në këto incidente.

Teherani dhe Uashingtoni kanë përkeqësuar lidhjet prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat