Irani zotohet se do të kundërpërgjigjet për sulmin ndaj cisternës së naftës

Azia

Irani zotohet se do të kundërpërgjigjet për sulmin ndaj cisternës së naftës

Më: 12 tetor 2019 Në ora: 14:49
Cisterna e naftës që raportohet se është sulmuar.

Irani e ka përshkruar si “sulm frikacak” incidentin me një cisternë të naftës iraniane. Mediat iraniane kanë thënë se një cisternë është goditur me raketa.

“Një përgjigje e duhur do t’u jepet autorëve të këtij sulmi frikacak, por ne do të presim që të zbardhen të gjitha detajet e këtij sulmi”, tha zëdhënësi i qeverisë, Ali Rabei, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, Irna.

Cisterna e naftës, e emëruar “Sabiti”, duket se është goditur më 11 tetor teksa ka qenë duke lundruar në Detin e Kuq, në ujërat e Arabisë Saudite, raportuan mediat iraniane.

Ky incident ende nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Iranin se qëndron prapa sulmeve të cisternave të naftës në Gjirin Persik në muajin maj dhe qershor, por edhe për sulmet ndaj rafinerive të naftës saudite në muajin shtator. Teherani ka mohuar çdo përfshirje në këto incidente.

Teherani dhe Uashingtoni kanë marrëdhënie të tensionuara që prej se Shtetet e Bashkuara u tërhoqën vitin e kaluar nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore.

Arabia Saudite ende nuk ka komentuar lidhur me raportimet për sulmin ndaj cisternës iraniane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat