India dhe Pakistani fajësojnë njëri-tjetrin për granatimet në Kashmir

Azia

India dhe Pakistani fajësojnë njëri-tjetrin për granatimet në Kashmir

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 10:10
Kashmir

India dhe Pakistani fajësuan njëri-tjetrin për granatimet përgjatë vijës së kontrollit, që ndan rajonin e diskutueshëm të Kashmirit.

Të dyja palët thonë se janë hakmarrë vetëm pasi njëra ka sulmuar tjetrën, duke vrarë civilë dhe ushtarë në të dyja anët.

Për numrin e viktimave ka raporte kundërthënëse - Pakistani raporton për shtatë të vrarë, ndërsa India për tre.

India dhe Pakistani - të dyja vende me armë bërthamore - kanë luftuar tashmë dy luftëra për Kashmirin, por tensionet këtë vit janë përshkallëzuar ndjeshëm.

Në shkurt, India ka kryer sulme ajrore kundër militantëve në territorin pakistanez, në përgjigje të një sulmi vetëvrasës në Kashmir, ku kanë mbetur të vrarë 40 ushtarë indianë.

Në gusht, India i ka hequr Kashmirit - pjesës që e administron - statusin e posaçëm, duke shkaktuar kritika të ashpra nga Pakistani.

Që atëherë, kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka lobuar për mbështetje ndërkombëtare kundër këtij veprimi, duke e përshkruar atë si "të paligjshëm".

Nju Delhi dhe Islamabadi e pretendojnë Kashmirin në tërësi, por kontrollojnë vetëm pjesë të tij.

Përshkallëzimi i armiqësive në kufi këtë vit thuhet se kërcënon edhe armëpushimin që është arritur në vitin 2003.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat