Kryetarja e Hong Kongut, Carrie Lam, të hënën i ka kërkuar falje komunitetit mysliman në këtë qytet pasi policia e dëmtoi një xhami me ujë me ngjyrë gjatë operacionit për shpërndarjen e protestuesve.
Përderisa procesi i pastrimit të xhamisë nga ngjyra e kaltër ishte ende në kryerje e sipër, Lam e vizitoi këtë objekt fetar në distriktin Kowloon, për t’u kërkuar falje klerikëve islamikë rreth incidentit të së shtunës.
Në një deklaratë të lëshuar nga qeveria e Hong Kongut thuhet se kryetarja Lam i falënderoi liderët islamikë për thirrjet e vazhdueshme për qetësi gjatë trazirave politike që e kanë përfshirë qytetin në pesë muajt e fundit.
Gjatë përleshjeve mes policisë dhe protestuesve, forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe kamionë me ujë me ngjyrë për t’i shpërndarë protestuesit.
Në një moment të caktuar, një kamion i policisë hodhi ujë me ngjyrë në portën hyrëse të xhamisë dhe në trotuarin pranë saj. Kjo xhami është objekti më i rëndësishëm fetar i myslimanëve të Hong Kongut.
Kryetarja tha se komuniteti mysliman i Hong Kongut e konsiderojnë këtë qytet si shtëpinë e tyre dhe gjithmonë kanë jetuar në paqe me komunitetet e tjera, shkruan “Reuters”.