Vazhdojnë protestat në Hong Kong

Azia

Vazhdojnë protestat në Hong Kong

Më: 27 tetor 2019 Në ora: 15:01
Hong Kong

Policia në Hong Kong ka hedhur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë mijëra protestues që u mblodhën në limanin “Kowloon” të dielën. Ata protestuan kundër dhunës së policisë ndaj protestuesve.

Forcat e sigurisë i arrestuan disa protestues në kohën kur ata ende ishin duke u mbledhur. Protestuesit të dielën brohoritën me parulla për mbrojtjen e gazetarëve, myslimanëve dhe popullit.

Policia i ka mohuar akuzat për dhunë ndaj protestuesve, duke shtuar se policët janë treguar të përmbajtur edhe në situatat kur jeta e tyre ka qenë në rrezik.

Billy, një protestues 26 vjeç, tha se ka vendosur të dalë përsëri në protestë për shkak se është i zemëruar që policia e ka dëmtuar xhaminë me ujë me ngjyrë. “Populli i Hong Kongut, pavarësisht religjionit të tyre, ka ardhur t’i thotë jo qeverisë totalitare”, tha ai.

Protestuesit thonë se janë gjithashtu kundër ndërhyrjes së Kinës në Hong Kong, sepse po cenohet autonomia e dhuruar sipas marrëveshjes qeverisëse “një shtet, dy sisteme”.

Në anën tjetër, Kina i ka mohuar akuzat për ndërhyrje dhe i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për nxitje të protestave.

Protestat në Hong Kong kishin filluar për shkak të projektligjit për ekstradimin e qytetarëve në Kinë, i cili më vonë u tërhoq nga qeveria, shkruan “France24”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat