Hong Kong/ Aktivisti pro-demokracisë përjashtohet nga konkurrimi në zgjedhje - Bota Sot
Hong Kong/ Aktivisti pro-demokracisë përjashtohet nga konkurrimi në zgjedhje

Azia

Hong Kong/ Aktivisti pro-demokracisë përjashtohet nga konkurrimi në zgjedhje

Më: 30 tetor 2019 Në ora: 07:54
Joshua Wong

Aktivisti pro-demokracisë Joshua Wong tha se vendimi i autoriteteve të Hong Kongut për ta ndaluar atë të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme lokale është dëshmia “se si Pekini i manipulon zgjedhjet me censurë politike”.

Ai postoi të martën në twitter njoftimin që mori nga një zyrtar i komisionit zgjedhor, i cili shpallte të pavlefshme kandidaturën e tij.

Joshua Wong tha se ai ishte kandidati i vetëm që ndalohej të marrte pjesë në këto zgjedhje.

Në një deklaratë të një zëdhënësi të qeverisë thuhej se kandidatura e zotit Wong ishte e pavlefshme pasi ai mbronte idenë për “vetëvendosje” për Hong Kongun.

23 vjeçari Wong ishte një nga udhëheqësit e atij që njihet si “revolucioni i ombrellave” që përfshiu Hong Kongun në vitin 2014. Protestat nisën pasi Pekini u tërhoq nga premtimi për votime të përgjithshme deri në vitin 2017, por ato përfunduan pa asnjë lëshim nga qeveria e Hong Kongut.

Prej rreth 5 muajsh qyteti gjysmë-autonom është përfshirë nga protestat masive e shpesh të dhunshme, të nxitura nga një projektligj miratimi i të cilit do të lejonte ekstradimet për procese penale në territorin e Kinës. Protestat kanë evoluar në kërkesa për demokraci të plotë për Hong Kongun, hetim të pavarur rreth dyshimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia si dhe amnisti të plotë për të gjithë aktivistët e arrestuar gjatë demonstratave. Aktivistët me maskë kanë shkatërruar biznese dhe sistemin e metrosë së qytetit si dhe kanë sulmuar policinë me tulla e bomba me benzinë, shkruan voa.

Shefja ekzekutive e Hong Kong-ut Carrie Lam paralajmëroi të martën se protestat mund të kenë ndikim negativ tek rritja ekonomike e qytetit.

Hong Kongu gëzon një shkallë të gjerë autonomie nën marrëveshjen “një qeveri, dy sisteme” të vendosur kur Kina rimori kontrollin e qendrës financiare nga Britania, në vitin 1997. Por aktivistët politikë dhe vëzhguesit thonë se Pekini po vendos gradualisht kontrollin e tij mbi territor dhe po ndrydh liritë themelore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat