Kompania më fitimprurëse në botë pritet të debutojë në tregun e aksioneve

Azia

Kompania më fitimprurëse në botë pritet të debutojë në tregun e aksioneve

Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 09:28
Aramco

Kompania shtetërore e energjisë në Arabinë Saudite, Aramco, pritet të debutojë në tregun e aksioneve në dhjetor pasi rregullatori e miratoi atë që do të ishte oferta për kompaninë më fitimprurëse në botë.

Autoriteti Saudit për Tregjet Kapitale nuk dha ndonjë hollësi për këtë plan, i cili do t’i sillte miliarda dollarë për mbretërinë, por pritet që zbatimi i tij të fillojë në mesin e dhjetorit.

Shitja e një pjese të aksioneve, që do të mund ta çonte vlerën e kompanisë deri në 1.7 trilion dollarë. Besohet se ky vendim është pjesë e planit të princit Mohammed bin Salman për t’i ndryshuar prioritetet ekonomike dhe për ta luftuar varësinë nga nafta.

Pritet që kompania t’i shesë pesë për qind të aksioneve. Fillimisht do të shiten dy për qind të aksioneve në dhjetor, ndërsa tre për qind të tyre do të shiten vitin e ardhshëm.

Debutimi i kompanisë më fitimprurëse në botë ishte planifikuar fillimisht për muajin tetor, por procesi është shtyrë për shkak të pakënaqësisë së princit për vlerën e saj në treg, sepse ai besonte që firma do të vlerësohej me dy trilion dollarë.

Ndryshe, Arabia Saudite është njëra ndër prodhueset më të mëdha të naftës në botë. Sidoqoftë, vendi po synon ta zvogëlojë varësinë nga karburantet në të ardhmen për shkak të zhvillimit të formave të energjisë alternative, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat