Rekord negativ i ndotjes së ajrit në Indi, pilotët nuk po i shohin pistat

Azia

Rekord negativ i ndotjes së ajrit në Indi, pilotët nuk po i shohin pistat

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 08:29
Indi

Niveli i ndotjes së ajrit në Nju Delhi të Indisë e ka arritur nivelin rekord për këtë vit, duke qenë gati 400 herë më i ndotur se pragu i ajrit të shëndetshëm. Kjo gjendje ka bërë që edhe aeroplanët t’i ndërrojnë pistat e tyre për shkak të dukshmërisë së kufizuar.

Një javë pas festivalit Diwali, smogu i trashë ngjyrë kafeje, që e kishte kapluar kryeqytetin indian, nuk është larguar ende nga ajri. Javën e kaluar, autoritetet e shpallën gjendjen emergjente, ndërsa një ministër tha se Nju Delhi është shndërruar në një dhomë gazi.

Të dielën cilësia e ajrit u përkeqësua edhe më shumë. Niveli i ndotjes shkoi mbi 900 mikro-grimca në disa zona, shumë më tepër se niveli prej 25 për qind, i cilësuar si nivel i shëndetshëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Dukshmëria ishte aq e kufizuar, saqë 30 fluturime u caktuan për aeroporte të tjera. Ministri Kejriwal tha: “Ndotja ka shkuar në nivele të papërballueshme. Qeveria qendrore duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta zgjidhur këtë”.

Sachin Mathur, vozitës, tha se është i detyruar të qëndrojë në mjedis të jashtëm dhe e kishte të vështirë të merrte frymë dhe t’i mbante sytë të hapur gjatë vozitjes. Ai tha: “Kam vozitur nëpër rrugët e Nju Delhit në tre vjetët e fundit dhe qyteti bëhet kështu çdo vit pas festivalit”.

Autoritetet e arsimit kanë marrë vendim për t’i mbyllur shkollat deri të enjten. Puna është ndërprerë edhe në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa qeveria do t’i shpërndajë pesë milionë maska për mbrojtje nga ajri i ndotur, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat