Gjykata Supreme e Indisë ua jep hindusëve vendin që kontestohej nga myslimanët

Azia

Gjykata Supreme e Indisë ua jep hindusëve vendin që kontestohej nga myslimanët

Më: 9 nëntor 2019 Në ora: 09:11
Gjykata Supreme

Gjykata Supreme e Indisë ka vendosur që hapësira e kontestuar mes hindusëve dhe myslimanëve, e quajtur Ayodhya, i takon komunitetit hindus, i cili dëshiron të ndërtojë një tempull në këtë vend.

Ky rast, i cili ndodhet në gjykata për dekada të tëra, shtrihet në rajonin e Uttar Pradeshit, në pjesën veriore të Indisë. Sipas vendimit të gjykatës, edhe myslimanëve do t’u jepet një pjesë e tokës në një vend tjetër për ndërtimin e një xhamie.

Shumë pjesëtarë të komunitetit hindus besojnë se në këtë vend është lindur njëri prej figurave më të adhuruara të tyre, “zoti Ram”, siç e quajnë ata. Në anën tjetër, myslimanët thonë se janë falur në këtë vend me gjenerata të tëra.

Në qendër të mosmarrëveshjes është xhamia e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, Babri, e cila ishte shkatërruar nga hindusët në vitin 1992, me ç’rast ishin krijuar trazira dhe rreth dy mijë njerëz kishin vdekur.

Megjithatë, në vendimin e gjykatës më të lartë në Indi thuhet se janë gjetur dëshmi që nën rrënojat e xhamisë së shkatërruar ka mbetje të një tempulli të hindusëve. Kështu, gjykata vendosi që ky vend të merret nga hindusët, ndërsa myslimanët mund ta ndërtojnë xhaminë në një pjesë tjetër, shkruan “BBC".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat