Irani dëshiron gjykatë speciale për hetimin e rrëzimit të aeroplanit ukrainas

Azia

Irani dëshiron gjykatë speciale për hetimin e rrëzimit të aeroplanit ukrainas

Më: 14 janar 2020 Në ora: 15:40
Foto ilustrim

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka bërë thirrje që të themelohet një gjykatë speciale për hetimin e rrëzimit të aeroplanit ukrainas, ku mbetën të vrarë 176 persona. Kjo deklaratë erdhi pas protestave masive kundër pushtetit.

Rohani tha gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion se të gjithë personat përgjegjës për gabimin e pafalshëm duhet të ndëshkohen.

“Organet e drejtësisë duhet të formojnë një gjykatë special me gjykatësit më të lartë dhe dhjetëra ekspertë”, tha Rohani, duke shtuar se pranimi i fajësisë nga forcat e armatosura ishte veprim i mirë si hap i parë drejt sqarimit të rrethanave të aksidentit.

“Për popullin tonë është shumë me rëndësi që të dalë para drejtësisë kushdo që është fajtor ose që ka qenë neglizhent”, shtoi ai.

Ndryshe, zëdhënësi i dikasterit të drejtësisë, Gholamhossein Esmaili, tha më herët se për këtë aksident kanë filluar hetime të gjera dhe se disa persona janë arrestuar.

Qeveria iraniane është përballur me protesta në lidhje me rrëzimin e aeroplanit, ndërsa policia e këtij vendi është akuzuar se ka përdorur plumba lufta kundër protestuesve.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së i ka paralajmëruar autoritetet iraniane se Uashingtoni nuk do ta tolerojë dhunën kundër protestuesve, shkruan “Free Europe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat