Rebelët vrasin 60 ushtarë të Jemenit

Azia

Rebelët vrasin 60 ushtarë të Jemenit

Më: 19 janar 2020 Në ora: 10:10
Jemen

Rebelët e grupit Houthi, i cili përkrahet nga Irani, e sulmuan një bazë për trajnime ushtarake në Marib, duke i lënë të vrarë 60 pjesëtarë të personelit dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Lajmin e bëri të ditur televizioni shtetëror saudit.

Ky televizion i citoi burimet e veta, të cilat thanë se sulmi është kryer me raketa balistike dhe dronë.

Në konfliktin e Jemenit janë të përfshirë Irani dhe Arabia Saudite, të cilat kanë qëndrime armiqësore mes vete.

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në Jemen në vitin 2015 për ta kthyer në pushtet qeverinë e presidentit Abd-Rabbu Mansour Hadi, e cila ishte rrëzuar nga rebelët.

Në anën tjetër, rebelët e përkrahur nga Irani i kanë nën kontroll kryeqytetin Sanaa dhe shumicën e qendrave urbane.

Ata mohojnë se janë vegël e Iranit dhe thonë se janë duke luftuar kundër një sistemi të korruptuar, shkruan “Reuters”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat