Irani shënon përvjetorin e Revolucionit Islamik nën hijen e tensioneve me ShBA-në

Azia

Irani shënon përvjetorin e Revolucionit Islamik nën hijen e tensioneve me ShBA-në

Më: 11 shkurt 2020 Në ora: 09:20
Foto ilustrim

Dhjetëra mijëra iranianë dolën në rrugët e Teheranit dhe të qyteteve të tjera të martën në mëngjes për ta shënuar 41-vjetorin e Revolucionit Islamik në kohën kur tensionet e Iranit me Shtetet e Bashkuara janë ende të larta.

Televizioni shtetëror publikoi pamje të tubimeve në disa qytete iraniane, përfshirë qytetet Mashhad, Ahvaz dhe Kerman. Njerëzit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”.

Irani ishte pranë hyrjes në konflikt të hapur me Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar pasi forcat amerikane e vranë komandantin e lartë iranian, Qassem Soleimani. Irani ishte kundërpërgjigjur me disa sulme me raketa në një bazë amerikane në Irak.

Tensionet mes dy vendeve u rritën edhe në vitin 2018, kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe i kthyen në fuqi sanksionet ekonomike kundër republikës islamike, shkruan “Reuters”.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka thënë se programi raketor i vendit të tij nuk do të përdoret për t’i sulmuar vendet fqinje. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara besojnë se Irani po synon të ndërtojë armë me kapacitete bërthamore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat