Kandidatët e moderuar skualifikohen nga gara zgjedhore në Iran

Azia

Kandidatët e moderuar skualifikohen nga gara zgjedhore në Iran

Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 15:06
Ilustrim

Në Iran ka filluar fushata për zgjedhjet parlamentare, në të cilat do të garojnë më shumë se 7.000 kandidatë për 290 ulëse të legjislaturës së re.

Shumica e kandidatëve të moderuar janë skualifikuar, duke bërë që gara të zhvillohet kryesisht mes konservatorëve dhe politikanëve të linjës së ashpër.

Gjithashtu, zgjedhjet pritet të jenë një sprovë për popullaritetin e presidentit, Hassan Rohani, i cili ka premtuar se do të përmirësojë jetën e njerëzve edhe pse vendi po përballet me sanksione të ashpra të SHBA-së.

Por, ekspertët thonë se rritja e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj situatës ekonomike, dhe mungesa e një procesi zgjedhor transparent dhe të drejtë ka të ngjarë të ulë pjesëmarrjen e votuesve.

Rohani ka kritikuar Këshillin e Kujdestarëve, një organ që merren me përzgjedhjen e kandidatëve, pasi skualifikoi mijëra persona nga gara, përfshirë 90 ligjvënës aktualë.

"Dikush mund të mos më pëlqejë personalisht, por nëse e duan Iranin, duhet të shkojnë në kutitë e votimit", tha Khamenei në një fjalim në 5 shkurt.

Irani është përballur me protesta të fuqishme anti-qeveritare, të cilat u nxitën pas një rritjeje të çmimit të karburanteve.

Muajin e kaluar, rrëzimi i një avioni pasagjerësh ukrainas nga mbrojtja ajrore e Iranit çoi në disa ditë protesta në qytetet iraniane, kundër udhëheqjes së vendit.

Incidenti pasoi vrasjen e gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, udhëheqës i një force elite të ushtrisë iraniane, gjatë një sulmi ajror amerikan në Bagdad, në fillim të janarit.

Ai konsiderohej si terrorist nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Si përgjigje, Teherani sulmoi me raketa dy baza që strehonin trupa amerikane në Irak.

Tensionet janë rritur midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që nga viti 2018 pasi Uashingtoni u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore dhe sërish vendosi sanksione ekonomike ndaj Iranit.

Teherani gradualisht u tërhoq nga angazhimet e veta nën marrëveshjen e vitit 2015.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mund të rinegociojnë marrëveshjen, duke theksuar se nuk do të lejojnë asnjëherë që Irani të posedojë armë bërthamore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat