Shkon në 1665 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kinë - Bota Sot
Shkon në 1665 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kinë

Azia

Shkon në 1665 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kinë

Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 08:15
Foto ilustrim

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë njoftoi të dielën se në 24 orët e kaluara janë konfirmuar 2009 raste të reja të njerëzve të infektuar me koronavirus, ndërsa 142 persona kanë vdekur. Vetëm katër viktima u shënuan jashtë provincës Hubei.

Provinca Hubei dhe kryeqyteti i saj, Wuhan, ndodhen në karantinë pothuajse të plotë që nga 23 janari. Shkollat, fabrikat dhe zyrat janë mbyllur dhe shumica e linjave të udhëtimit janë ndërprerë.

Mjekët besojnë se virusi ka një periudhë të inkubacionit prej 14 ditësh, prandaj personat që po dyshohen se janë të infektuar po vendosen në karantinë dyjavore nga autoritetet, shkruan “Reuters”.

Jashtë Kinës, deri më tash janë regjistruar rreth 500 raste në dhjetëra shtete dhe territore, ndërsa katër persona kanë vdekur.

Autoritetet e kryeqytetit kinez, Pekin, morën vendim që të gjithë banorët e kthyer nga pushimet të vendosen në karantinë për 14 ditë në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejme e koronavirusit.

Ndërkohë në anijen e madhe japoneze, në të cilën ndodhen rreth 3700 pasagjerë në karantinë, u konfirmuan edhe 70 raste të reja të personave të infektuar, duke e çuar në 355 numrin e përgjithshëm të të sëmurëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat