Gati fillimi i zbatimit të marrëveshjes për pakësimin e dhunës në Afganistan

Azia

Gati fillimi i zbatimit të marrëveshjes për pakësimin e dhunës në Afganistan

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 17:32
Afganistan

Zbatimi i marrëveshjes për shtatë ditë “pakësim të dhunës”, premtuar nga Talebanët do të fillojë të premten në mbrëmje, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, pa përcaktuar kohën e saktë. Ky do të ishte hapi i parë drejt nënshkrimit të marrëveshjes së paqes mes Talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara në fund të muajit.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit foli me kushtin që të mos identifikohej.

Marrëveshja e paqes që pritet të nënshkruhet në Doha të Katarit më 29 shkurt do t’i hapte rrugën tërheqjes së trupave amerikane dhe negociatave brenda grupeve afgane. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se marrëveshja e paqes do të sillte gjithashtu si rezultat një armëpushim të përhershëm.

"Ne po përgatitemi që nënshkrimi të bëhet më 29 shkurt. Negociatat brenda grupeve afgane do të fillojnë menjëherë pas nënshkrimit dhe do të mbështeten tek ky hap themelor për të sjellë një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të përhershëm, si edhe një hartë për të ardhmen politike të Afganistanit”, tha zoti Pompeo në një deklaratë.

Por rruga përpara është e mbushur me vështirësi.

Nuk është ende e qartë se kush do të përfaqësojë Kabulin në tryezën e bisedimeve ndërafgane, që konsiderohet një nga shtyllat për paqe të përhershme në vendin e rrënuar nga lufta. Komisioni afgan i zgjedhjeve shpalli këtë javë Presidentin Ashraf Ghani, si fitues të zgedhjeve presidenciale që u mbajtën në shtator por rivalët e tij e denoncuan menjëherë fitoren e tij.

Talebanët kanë refuzuar të flasin me qeverinë e zotit Ghani dhe gjithashtu denoncuan rezultatet e zgjedhjeve, duke thënë se do të bisedojnë me përfaqësues të qeverisë por vetëm duke i konsidetuar si qytetarë të zakonshëm afganë.

Në deklaratën e zotit Pompeo nuk thuhej se cilët do të ishin pjesëmarrësit nga Kabuli në negociatat ndërafgane, por vertëm se “negociatat ndërafgane do të fillojnë shumë shpejt” pas nënshkrimit në Doha.

Talebanët nxorrën deklaratën e tyre lidhur me marrëveshjen për reduktimin e dhunës.

"Të dyja palët do të krijojnë tani kushte sigurie të përshtatshme para datës së nënshkrimit të marrëveshjes, do t’u dërgojnë ftesa përfaqësuesve të lartë të vendeve dhe organizatave të ndryshme për të marrë masa në ceremoninë nënshkruese, do të marrin masa për lirimin e të burgosurve, përgatisin terrenin për negociatat ndërafgane me partitë e ndryshme politike të vendit dhe për paqe në gjithë vendin me tërheqjen e të gjitha forcave të huaja”, thanë talebanët në një deklaratë të premten.

Ata shtuan se nuk do të lejojnë që “territori i Afganistanit të përdoret kundër sigurisë së të tjerëve, në mënyrë që njerëzit tanë të jetojnë një jetë paqësore dhe të begatë nën hijen e një sistemi islamik”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat