Koronavirusi, vazhdon ulja e numrit të të infektuarve

Azia

Koronavirusi, vazhdon ulja e numrit të të infektuarve

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 21:21
Foto ilustrim

Kina njoftoi sërish një rënie të numrit të personave të diagnostikuar rishtazi si bartës të COVID 19. Të premten zyrtarët kinezë që menaxhojnë shëndetin publik u shprehën optimistë se po vazhdojnë ta kenë situatën nën kontroll. Por për autoritetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kriza nuk ka mbaruar. Koronavirusi i ri ka shkaktuar deri tani më shumë se 2,236 vdekje ndërsa 24 orët e fundit e kanë çuar totalin e personave të prekur në 75.465.

Në qytetin e Wuhanit, ku mendohet se shpërtheu për herë të parë virusi, numri i rasteve të kuruara e tejkaloi për herë të parë numrin e rasteve të diagnostikuar si bartës të COVID 19. Sipas autoriteteve kineze që drejtojnë Komisionin Kombëtar për Shëndetin, numri i rasteve të kuruar në një ditë në shkallë vendi, u rrit në mbi 2,000 për herë të parë. Një zyrtar i ministrisë së Drejtësisë Hë Ping tha se disa persona janë larguar nga detyra në një prej provincave të goditura më rëndë, Hubei si dhe zona të tjera, pas diagnostikimit të më shumë se 500 rasteve të personave të prekur në burgje.

"Do të mbahen përgjegjës të gjithë ata që nuk kryejnë një proces ekzaminimi të plotë apo që nuk kryejnë njoftimet në kohë dhe ku masat e karantinës nuk janë ato që duhen. Nëse kjo ndodh, masat ndëshkimore do të jenë të ashpra", tha zoti He Ping.

Për autoritetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rënia e numrit të rasteve të reja me koronavirus në Kinë është inkurajues, por ata paralajmëruan se kriza nuk ka mbaruar.

“Ky është momenti për ta sulmuar virusin ndërsa situata është e menaxhueshme. Një numër i vogël rastesh janë njoftuar edhe në vende të tjera të botës. Nëse nuk e godasim fort tani, duke përdorur këtë dritare mundësie që na është dhënë, mund të përballemi me një problem serioz", tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

OBSH-ja njoftoi se po kryen dy prova klinike që mund të çojnë në luftimin e virusit vdekjeprurës dhe se rezultatet paraprake priten të dalin brenda tre javësh.

Ndërkaq Koreja e Jugut njoftoi 52 raste të reja, që e ka çuar numrin e të prekurve në vend në 152. Të paktën 25 vende krahas Kinës kanë raportuar më shumë se 1000 raste personash bartës të koronavirusit dhe 11 vdekje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat