Shkon në 66 numri i viktimave të koronavirusit në Iran, refuzohet ndihma nga ShBA-ja

Azia

Shkon në 66 numri i viktimave të koronavirusit në Iran, refuzohet ndihma nga ShBA-ja

Më: 2 mars 2020 Në ora: 15:02
Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë e Iranit raportoi për 12 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e çuar në 66 numrin e përgjithshëm të viktimave në republikën islamike. Deri më tash, në Iran janë infektuar 1501 persona.

Televizioni shtetëror njoftoi se në mesin e personave të vdekur së fundi është edhe një anëtar i një këshilli që është i lidhur me liderin suprem të Iranit, shkruan “Free Europe”.

Me koronavirus tashmë janë infektuar edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, përfshirë nënpresidentin Masumeh Ebtekar dhe kryetarin e një task-force qeveritare për koronavirusin, i cili para se të infektohej ishte përpjekur që ta nënvlerësonte rrezikun nga sëmundja.

Ekspertët shëndetësorë thonë se shkalla e vdekshmërisë së personave të infektuar me koronavirus në Iran – rreth 5.5 për qind – është shumë më e lartë se në shtetet e tjera, duke lënë të kuptohet se numri i të infektuarve është shumë më i madh se shifra zyrtare.

Ndryshe, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Abbas Musavi, e hapi një konferencë për gazetarë duke e refuzuar ofertën për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara, të cilën e kishte bërë zyrtarisht sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat