SHBA-ja kryen sulm "mbrojtës" kundër talibanëve në Afganistan

Azia

SHBA-ja kryen sulm "mbrojtës" kundër talibanëve në Afganistan

Më: 4 mars 2020 Në ora: 13:21
Provinca Helmand, foto nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm ajror “mbrojtës” kundër luftëtarëve talibanë në provicën Helmand në Afganistan, pasi është kuptuar që është sulmuar një pikë e forcave afgane.

“Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm ajror më 4 mars kundër luftëtarëve talibanë në Helmand, të cilët kanë sulmuar një pikë afgane. Ky ka qenë veprim mbrojtës për të penguar sulmin”, ka thënë zëdhënësi i forcave amerikane në Afganistan, Sonny Leggett.

Ky sulm ka ndodhur disa orë pasi militantët talibanë kanë vrarë të paktën 20 zyrtarë afganë të sigurisë, dhe pak kohë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të ketë pasur bisedë “shumë të mirë” me shefin politik të talibanëve.

Kjo valë e dhunës është duke rrezikuar jetesën e marrëveshjes së nënshkruar më 29 shkurt në Doha në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve, e cila parasheh largimin e trupave të huaja nga Afganistani brenda 14 muajve.

Në këmbim talibanët, mes tjerash, janë pajtuar për të zhvilluar negociata me Qeverinë afgane, kusht të cilin militantët më parë nuk e kanë pranuar, duke i konsideruar zyrtarët afganë kukulla të perëndimit.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani ka paralajmëruar se ai nuk është zotuar për një pikë të marrëveshjes që parasheh lirimin e mbi 5,000 talibanëve të burgosur.

Talibanët në anën tjetër kanë thënë se nuk do të zhvillojnë negociata me qeverinë, derisa të zbatohet ky zotim.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin në vitin 2001 duke larguar nga pushteti talibanët, pasi grupi militant refuzoi që ta dorëzonte terroristin e Al-Kaidës, Osama bin Laden.

Nga ajo kohë, rreth 2,400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftimeve, së bashku me dhjetëra mijëra ushtarë afganë, luftëtarë ekstremistë dhe civilë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat