Kina raporton numrin më të vogël të rasteve të koronavirusit nga janari

Azia

Kina raporton numrin më të vogël të rasteve të koronavirusit nga janari

Më: 9 mars 2020 Në ora: 08:53
Foto ilustrim

Autoritetet kineze i kanë raportuar vetëm 40 raste të reja të koronavirusit, që paraqet shifrën më të vogël që nga fillimi i publikimit të statistikave më 20 janar.

Në mesin e këtyre rasteve, 36 persona të infektuar ishin nga qyteti Wuhan, i cili ka qenë epiqendër e virusit, ndërsa katër të tjerë kishin ardhur nga Irani.

Megjithatë, një zyrtar kinez tha se vendi duhet të qëndrojë në gjendje gatishmërie, duke shtuar se nuk duhet të pakësohet vigjilenca kundër koronavirusit, shkruan “BBC”.

Në Korenë Jugore u shënua numri më i vogël i rasteve të reja në dy javët e fundit. Sidoqoftë, virusi Covid-19 po përhapet shpejt në pjesët e tjera të botës.

Numri i personave të infektuar në Shtetet e Bashkuara ka shkuar në mbi 500, ndërsa Italia i raportoi 133 persona të vdekur brenda një dite.

Ndërkohë në Japoni u shënua viktima e pesëmbëdhjetë. Shtatë prej personave të vdekur ishin pasagjerë në anijen “Diamond Princess”, ku u infektuan qindra njerëz. Simptomat e koronavirusit janë shkurtimi i frymëmarrjes, dhimbja e kokës, kollitja, dhimbja muskulore, temperatura e lartë dhe plogështia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat