Frika nga koronavirusi/ Kina dezinfekton paratë me dritë ultravjollcë dhe lëndë kimike - Bota Sot
Frika nga koronavirusi/ Kina dezinfekton paratë me dritë ultravjollcë dhe lëndë kimike

Azia

Frika nga koronavirusi/ Kina dezinfekton paratë me dritë ultravjollcë dhe lëndë kimike

Më: 23 mars 2020 Në ora: 15:53
Kinë

Në qytetet kineze ka nisur të gjallërohet jeta pas pandemisë vdekjeprurëse të koronavirusit. Autoritetet vijojnë marrjen e masave për të mos e përhapur më tej sëmundjen, siç është dezinfektimi i kartëmonedhave të vjetra para rihedhjes në treg.

Kina po dezinfekton kartëmonedhat e përdorura dhe të huajat në përpjekjen për të ndalur pandeminë e koronavirusit, që ka vrarë mbi 15 mijë veta në botë.

Banka qendrore kineze nga muaji mars po përdor kabina të pajisura me dritë ultravjollcë dhe lëndë kimike për të çinfektuar miliona kartëmonedhat para se të qarkullojnë në degët e bankave.

Paratë e mbledhura nga pacientët në spitale është vendosur të mos hidhen më në qarkullim.

Institucionet financiare, ndërkaq, janë udhëzuar t'u ofrojnë klientëve kartëmonedha të reja përpara atyre të përdorura.

Kina raportoi të dielën 39 raste të diagnostikuara me koronavirus, të gjithë të ardhur nga jashtë, kryesisht studentë kinezë që ishin kthyer në shtëpi.

"Në provincën e Hubeit dhe në Uhan, nuk kemi raste të reja apo të dyshuara prej 5 ditësh. 9 persona ndërruan jetë të dielën, rreth 450 veta u liruan nga spitalet, 4,700 të tjerë janë në trajtim dhe 1,714 në gjendje të rëndë," njoftuan të hënën autoritetet kineze të shëndetësisë.

Përmirësimi i situatës me infeksionin po e kthen me ngadalë drejt normaliteti jetën publike në qytete.

Frika mes qytetarëve vazhdon dhe ata ende i konsiderojnë të nevojshme masat mbrojtëse.

sinkron gruaja

"Ka më shumë njerëz në rrugë dhe në autobuse. Më parë shihje një apo dy veta në urban, tani janë me dhjetëra," thotë një 67-vjeçare nga Pekini.

Një qytetare nga Shangai, ku gjendja e emergjencës u ul të hënën në një nivel më të ulët, thotë se për sa kohë qytetarët mbrohen dhe paraqiten që herët në spital, daljet në natyrë nuk kanë për të qenë problem.

"Mua nuk më shqetëson dalja jashtë, por që njerëzit ta mbajnë mend procesin si mbrohemi nga koronavirusi, për vetën dhe të tjerët. Shpresoj që të mos e harrojnë çfarë kemi bërë," shton një tjetër banor i kryeqytetit.

Nga fillimi i pandemisë globale afro 4 muaj më parë, Kina numëron 81 mijë raste infeksioni me Covid-19, 73 mijë të shëruar dhe 3,270 të vdekur.

Nga vendet e tjera aziatike, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë konfirmuar në total rreth 10 mijë raste dhe 150 viktima, vetëm një e treta shtetas japonezë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat