Qeveria afgane kritikon talibanët për kundërshtimin e ekipit negociues

Azia

Qeveria afgane kritikon talibanët për kundërshtimin e ekipit negociues

Më: 30 mars 2020 Në ora: 08:22
Harta e Afganistanit

Qeveria afgane ka kritikuar talibanët për kundërshtimin e ekipit negociues të Kabulit, për bisedimet e ardhshme të paqes që synojnë t'i japin fund luftës gati 19-vjeçare.

Waheed Omar, këshilltari i presidentit Ashraf Ghani, u tha gazetarëve në Kabul më 29 mars se talibanët "nuk duhet të bëjnë më arsyetime" për të filluar negociatat e vonuara.

Bisedimet ishin planifikuar të fillonin në 10 mars, por u vonuan për shkak të grindjeve politike në Kabul për përbërjen e ekipit negociator.

Pas disa javësh vonesa, qeveria më 27 mars njoftoi një ekip prej 21 anëtarësh - përfshirë pesë gra - për të marrë pjesë në bisedime, një hap kyç në procesin e paqes të lehtësuar nga SHBA-ja.

Por, talibanët e kundërshtuan ekipin e bisedimeve, duke thënë se qeveria kishte dështuar të paraqiste një ekip "gjithëpërfshirës".

Omar hodhi poshtë pretendimin e talibanëve, duke thënë se ekipi negociator përfaqësonte "një Afganistan të bashkuar".

Asnjë parti e madhe politike në Kabul nuk ka kundërshtuar ekipin e qeverisë.
Nuk ka asnjë koment nga zyrtarët e SHBA-së.

Sipas një marrëveshje të nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe talibanët në Doha më 29 shkurt, përfaqësuesit e talibanëve ranë dakord të angazhohen për të zhvilluar bisedimet me qeverinë afgane.

Në këmbim të fillimit të bisedimeve dhe një seri angazhimesh për sigurinë nga talibanët, të gjitha trupat amerikane dhe forcat e tjera të koalicionit të huaj kanë për qëllim të tërhiqen nga Afganistani deri në korrik 2021.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat