Kina, përpjekje për të hedhur poshtë akuzat e SHBA për virusin

Azia

Kina, përpjekje për të hedhur poshtë akuzat e SHBA për virusin

Më: 10 maj 2020 Në ora: 15:59
Ministria e jashtme kineze

Kina publikoi një shkrim të gjatë me anë të të cilit përgënjeshtron ato që ajo i quajti 24 “aludime absurde” të disa politikanë kryesorë amerikanë lidhur me trajtimin që ajo i bëri çështjes së koronavirusit.

Gjatë javës së kaluar , ministria e jashtme kineze ia ka kushtuar pjesën më të madhe të konferencave të shtypit akuzave të politikanëve të SHBA, sidomos të sekretarit të shtetit Mike Pompeo, se Kina e mbajti të fshehtë informacionin për koronavirusin dhe se virusi e kishte origjinën në një laborator të qytetit Wuhan.

Në një shkrim prej 30 faqesh, të postuar të shtunën vonë në faqen e internetit të ministrisë përsëriten dhe zgjerohen më tej përgënjeshtrimet e bëra gjatë konferencave për shtyp.

Artikulli citon njoftime të mediave që thonë se disa amerikanë ishin infektuar nga virusi përpara se të konfirmohej rasti i parë në Wuhan, edhe pse nuk ka prova që të tregojnë se kjo është e vërtetë.

Në përpjekje për të hedhur poshtë aludimet amerikane se koronavirusi ka qenë krijuar me paramendim ose ka dalë në një farë mënyre nga Instituti i Virologjisë i Wuhanit, artikulli thotë se të gjitha provat tregojnë që virusi nuk është i krijuar nga njeriu dhe se instituti nuk është i aftë të sintetizojë një virus të ri.

SHBA: Kina fshehu informacionin, Pekini e mohon

Artikulli i ministrisë së jashtme kineze jep një kalendar kohor, që sipas saj tregon se Kina i ofroi “në kohë”, “në mënyrë të hapur dhe transparente" informacione komunitetit ndërkombëtar, duke hedhur poshtë kritikat amerikane se ajo u tregua e ngadaltë për të dhënë alarmin.

Por megjithë garancitë e përsëritura të Kinës, shqetësimet për vonesat e dhënies së informacionit nga ana e saj nuk janë shuar.

Një raport i revistës Der Spiegel të premten e kaluar, citon agjencinë gjermane të zbulimit BND, sipas të cilës përpjekja fillestare e Kinës për të fshehur informacionin i kushtoi botës katër deri në gjashtë javë që mund të ishin përdorur për të luftuar virusin.

Shkrimi i ministrisë së jashme kineze hedh poshtë kritikat perëndimore për trajtimin nga Pekini të çështjes së mjekut 34-vjeçar Li Wenliang, i cili u përpoq të jepte alarmin për shpërthimin e virusit në Wuhan.

Vdekja e tij nga COVID-19, shkaktoi mjaft zemërim dhe hidhërim në të gjithë Kinën.

Në shkrimin e ministrisë thuhet se Li nuk ishte një "sinjalizuesi” dhe se ai asnjëherë nuk u vu nën arrest, në kundërshtim me shumë njoftime perëndimore.

Megjithatë, shkrimi nuk përmend faktin që Li ishte qortuar nga policia për "përhapje të thashethemeve". Edhe pse më vonë Li u radhit mes “dëshmorëve” për të cilët Kina mbajti zi, një hetim rreth çështjes së tij u bë objekt kritikash në internet pasi në hetim thjesht propozohej që atij t’i hiqej qortimi.

Në shkrimin e ministrisë së jashtme të Kinës hidhen poshtë sugjerimet e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarit Pompeo që koronavirusi i ri të quhet "virusi kinez”, ose virusi i “Wuhanit”. Aty citohen dokumente të Organizatës Botërore të Shëndetit se emërtimi i një virusi nuk duhet të përmbajë emrin e një vendi të caktuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat