Wuhani dyfishon numrin e testimeve për Coronavirus në ditë

Azia

Wuhani dyfishon numrin e testimeve për Coronavirus në ditë

Më: 17 maj 2020 Në ora: 15:24
Wuhan

Qyteti kinez Wuhan, vendi i origjinës së koronavirusit të ri, ka kryer 222.675 testime për koronavirus më 16 maj, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore lokale, duke dyfishuar numrin e testeve që janë bërë një ditë më parë, raporton agjencia Reuters.

Wuhani më 14 maj ka filluar kampanjën për të zbuluar mbajtësit asimptomatik të virusit – njerëz që janë të infektuar, por nuk shfaqin shenja të sëmundjes – pasi fundjavën e kaluar ka konfirmuar zinxhirin e parë të infektimeve me COVID-19 që nga zbutja e masave kufizuese më 8 prill.

Numri i testeve të bëra më 16 maj në qytetin me 11 milionë banorë ishte më tepër se 186.400 teste sa u bënë më 14 dhe 15 maj dhe është numri më i madh i bërë nga Komisioni Shëndetësor i Wuhanit që kur ka filluar të publikojë të dhënat më 21 shkurt.

Wuhani është duke bërë testimet në baza vullnetare. Banorët që janë testuar më herët nuk marrin pjesë në këtë kampanjë.

Ata që testohen pozitiv do të njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka pasur raste me simptome në testet e bëra në tri ditët e fundit, ndonëse janë zbuluar 28 raste të reja pa simptome, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat