Supercikloni "Amphan" godet Indinë dhe Bangladeshin, mbi 20 viktima - Bota Sot
Supercikloni "Amphan" godet Indinë dhe Bangladeshin, mbi 20 viktima

Azia

Supercikloni "Amphan" godet Indinë dhe Bangladeshin, mbi 20 viktima

Më: 21 maj 2020 Në ora: 14:10
Foto

Një superciklon u ka marrë jetën më shumë se 20 personave në Bangladesh dhe Indi. Zona të tëra kanë mbetur nën ujë dhe pa energji elektrike teksa sfidë për autoritetet mbetet edhe përballja me pandeminë.

Një ciklon i fuqishëm që goditi të mërkurën Bangladeshin dhe Indinë ka lënë pas më shumë se 20 viktima dhe mijëra shtëpi të rrënuara.

Stuhia e vrullshme me emrin "Amfan" përshkoi Indinë Lindore për gjashtë orë e gjysmë duke lënë në orët e natës miliona njerëz pa gjumë teksa erërat me shpejtësi 170 kilometra në orë të shoqëruara me reshje shkulën pemët, shtyllat e energjisë elektrike, muret dhe çatitë e banesave.

Autoritetetet thanë se të paktën 17 veta humbën jetën në shtetin e Bengalit Perëndimor ndërsa u zhytën në ujë zonat deri 15 kilometra nga bregdeti.

Bilanci i viktimave pritet të rritet me inspektimin nga afër të territorit.

Ndërkohë më në veri, në shtetin e Bangladeshit, cikloni vrau më shumë se 8 veta, mes tyre një fëmijë 5 vjeç dhe një i moshuar 75-vjeçar i goditur nga pema.

Forcat e shpëtimit në ditët e fundit e kishin parashikuar forcën e ciklonit dhe kishin evakuar mbi 3 milionë banorë nga fshatrat bregdetare.

Të përballur edhe me krizën pandemike të koronavirusit, autoritetet shtuan se personat që qëndrojnë në shkollat dhe strehët e përkohshme janë pajisur me maska dhe dezinfektues, por është e pamundur që të respektohen rregullat e distancimit social.

Cikloni Amfan konsiderohet një nga më të fortët që godet kontinentin indian në dy dekadat e fundit.

Rajoni i Bengalit Perëndimor rrezikohet në mënyrë të përsëritur nga kjo dukuri natyrore, e cila në vitin 1999 do u merrte jetën 10 mijë vetave po në Indi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat