Si ia doli Vietnami me 97 milionë banorë mos të ketë asnjë viktimë nga koronavirusi - Bota Sot
Si ia doli Vietnami me 97 milionë banorë mos të ketë asnjë viktimë nga koronavirusi

Azia

Si ia doli Vietnami me 97 milionë banorë mos të ketë asnjë viktimë nga koronavirusi

Më: 30 maj 2020 Në ora: 15:31
Vietnami

Kur bota shikon për shembuj të suksesit për përballje me koronavirus në Azi, shumë vëmendje i kushtohet Koresë së Jugut, Tajvanit dhe Hong Kongut.

Por është një tregim i suksesit i anashkaluar, ai i Vietnamit. Shteti me 97 milionë banorë, nuk ka raportuar asnjë të vdekur nga koronavirusi dhe deri të shtunën kishte vetëm 328 raste të konfirmuara, me gjithë kufirin e gjatë me Kinën dhe miliona kinezët që e vizitojnë çdo vit.

E gjithë kjo bëhet më e jashtëzakonshme duke marrë parasysh që Vietnami është një vend me të hyra mesatarisht të ulëta dhe me sistem mjekësor më pak të avancuar se vendet tjera të regjionit. Vietnami ka vetëm tetë mjekë për 10 mijë qytetarë, që është një e treta e përqindjes së Koresë së Jugut.

Pas bllokimit të vendit për tri javë, Vietnami hoqi rregullat e distancimit social në fund të prillit. Nuk është raportuar asnjë rast për më shumë se 40 ditë. Bizneset dhe shkollat janë hapur kurse jeta gradualisht po kthehet në normalitet.

Për skeptikët, shifrat zyrtare të Vietnamit mund të duken shumë të mira për t’u besuar, raporton CNN.

Por Guy Thwaites, mjek në spitalin ku trajtohen pacientët me COVID-19, thotë se shifrat janë në përputhje me gjendjen në terren.

“Unë shkoj në reparte çdo ditë, i di rastet, e di që nuk ka pasur të vdekur”, ka thënë Thwaites.

“Nëse do të kishim infeksion të pa raportuar apo të pa kontrolluar, atëherë do të shihnim raste në spitalin tonë, njerëz që vijnë me infeksione në gjoks që ndoshta nuk janë diagnostikuar. Por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë”, thotë ai.

Sipas ekspertëve, janë kombinuar disa faktorë për shifrën e vogël të rasteve. Vlerësohet reagimi i qeverisë, reagimi i hershëm për të parandaluar përhapjen e virusit, gjurmimet e rrepta të kontakteve, karantinimi dhe komunikimi efektiv me publikun.

Vietnami kishte nisur përgatitjet për paraqitje të koronavirusit disa javë para rastit të parë.

Në Vietnam kishin nisur përgatitjet kur autoritetet kineze dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësonin se nuk ka fakte të qarta për transmetim të virusit nga njeriu te njeriu. Por në Vietnam nuk i kanë lënë asgjë rastit.

“Ne nuk kemi pritur vetëm për udhëzime të OBSH-së. Ne shfrytëzuam të dhënat që mblodhëm nga jashtë dhe vendosëm të veprojmë herët”, ka thënë Pham Quang Thai, zyrtar i lartë mjekësor.

Që në janar matja e temperaturës aplikohej për ata që vinin nga Wuhani në aeroportin në Hanoi. Udhëtarët me ethe izoloheshin dhe monitoroheshin nga afër. Në mes të janarit u urdhërua për masa drastike për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në Vietnam, duke forcuar karantinën mjekësore në pikat kufitare, aeroporte dhe porte detare.

Dy rastet e para pozitive u konfirmuan më 23 janar, një kinez që jetonte në Vietnam dhe babai i tij, që kishte udhëtuar nga Wuhani për ta vizituar atë. Të nesërmen u anuluan të gjitha udhëtimet për në Wuhan dhe nga ky qytet për në Vietnam.

Vendi më pas deklaroi luftë ndaj koronavirusit.

“Të luftojmë këtë epidemi është si të luftojmë ndaj armikut”, kishte thënë kryeministri Nguyen Xuan Phuc më 27 janar.

Më 1 shkurt Vietnami deklaroi epideminë nacionale, me vetëm gjashtë raste të konfirmuara në atë kohë. Të gjitha fluturimet me Kinën u anuluan, ndërsa u pezulluan vizat për qytetarët e Kinës të nesërmen. Masat u zgjeruan edhe për vende tjera ndërkohë, kurse në fund të marsit u ndalua hyrja për të gjithë të huajt.

Shpejt u morën masa të bllokimit të brendshëm. Më 12 shkurt u izolua një komunitet rural prej 10 mijë njerëzve në veri të Hanoit. Ishte bllokimi i parë jashtë Kinës. Shkollat dhe universitetet u hapën vetëm në maj, ndërsa ishte planifikuar të hapeshin në muajin shkurt.

“Masat në janar dhe herët në shkurt u morën shumë më parë se në vendet tjera. Dhe kjo ishte skajshmërisht ndihmuese për të mbajtur kontrollin”, thotë Thwaites.

Deri më 13 shkurt ishin vetëm 16 raste. Më pas për tri javë nuk kishte raste tjera, kurse vala e dytë ndodhi në mars, kur vietnamezët u kthyen nga vende tjera. Autoritetet izoluan rastet e kontaktit të infektuarve. Të gjitha ata që ishin në kontakt direkt me të infektuarit u izoluan në qendra mjekësore, hotele apo kampe ushtarake. Madje edhe rastet indirekte u urdhëruan që të vetëizolohen në shtëpi.

Deri më 1 maj rreth 70 mijë persona ishin izoluar në Vietnam në objektet e caktuara nga qeveria, kurse 140 mijë të tjerë në shtëpi dhe në hotele.

U bë po ashtu shumë sa i takon komunikimit me publikun. Fushata të ndryshme u organizuan dhe gjithë këto masa po dalin të jenë shumë të suksesshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat