Kina akuzon Zelandën e Re për shkelje të ligjit ndërkombëtar

Azia

Kina akuzon Zelandën e Re për shkelje të ligjit ndërkombëtar

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 09:45
Flamuri i Zelandës së Re

Kina ka akuzuar Zelandën e Re për shkelje të ligjit ndërkombëtar, pasi kjo e fundit ka pezulluar traktatin e saj për esktradim me Hong Kongun dhe ka rritur kontrollet në mallrat ushtarake të eksportuara me këtë shtet.

Ndryshimet janë bërë pas vendimit të Kinës për të miratuar ligjin për siguri kombëtare për Hong Kongun, ka thënë ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters përmes një deklarate.

“Rruga e Kinës drejt ligjit të ri për siguri kombëtare ka shkatërruar parimet për sundim të ligjit, ka dëmtuar organizimin ‘një shtet, dy sisteme’, mbi të cilin bazohet statusi unik i Hong Kongut si dhe ka shkuar kundër përkushtimeve që i ka bërë Kina për komunitetin ndërkombëtar”.

Zelanda e Re “nuk mund të besojë më” se sistemi i drejtësisë penale në Hong Kong është mjaftueshëm i pavarur nga Kina, ka thënë Peters.

Megjithatë, ambasada kineze në Zelandën e Re e ka cilësuar vendimin “shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë një zëdhënës përmes një deklarate.

Aty po ashtu është thënë se nuk do të kenë sukses përpjekjet për t’i bërë presion Kinës në çështjen e Hong Kongut.

Përveç Zelandës së Re, edhe Britania, Australia dhe Kanadaja kanë pezulluar marrëveshjet e tyre të ekstradimit me Hong Kongun, pas shqetësimeve të ngjashme, që lidhen me ligjin e ri të miratuar nga Partia Komuniste në Kinë.

Ligji i ri, i miratuar nga Kina, i cili ndalon tradhtinë, shkatërrimin, sulmin dhe ndërhyrjen e huaj, është parë nga aktivistët pro-demokracisë si pjesë e shtypjes së të drejtave speciale që gëzon Hong Kongu.

Në marrëveshjen, përmes së cilës Londra i ka dorëzuar këtë territor Kinës më 1997, është thënë se Hong Kongu duhet t’i gëzojë të drejtat speciale deri më 2047./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat