Sekretari amerikan i Shëndetësisë vizitë në Tajvan - Bota Sot
Sekretari amerikan i Shëndetësisë vizitë në Tajvan

Azia

Sekretari amerikan i Shëndetësisë vizitë në Tajvan

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 20:36
Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane Alex Azar

Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane Alex Azar mbërriti të dielën në Tajvan në krye të një delegacioni amerikan, për një vizitë tre-ditore në këtë vend gjatë së cilës do të takohet me Presidentin Tsai Ing-wen.

Kjo është vizita e nivelit më të lartë, që një zyrtar amerikan ka zhvilluar në këtë vend që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike mes Uashingtonit dhe Taipeit në vitin 1979. Vizita vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ndodhen në pikën me të ulët të tyre.

Pekini i ka kritikuar kontaktet zyrtare mes SHBA-së dhe Tajvanit, ndaj të cilit ka pretendime territoriale. Por presidenti tajvanez ka mbrojtur fuqimisht njohjen e Tajvanit si një komb sovran. Pekini e ka kundërshtuar me forcë dhe në mënyrë të përsëritur njohjen e Tajvanit dhe ka bërë të ditur planet për aneksim të ishullit me forcë nëse do të jetë e nevojshme.

Javën e kaluar Kina e cilësoi vizitën e zotit Azar si një kërcënim për "paqen dhe stabilitetin", ndërsa ministri kinez i Mbrojtjes paralajmëroi kundër asaj që e cilësoi "lëvizje e rrezikshme" nga ana e Uashingtonit.

Uashingtoni ka thënë se vizita në Tajvan është një mundësi për të mësuar nga historia e suksesit të ishullit në luftën kundër pandemisë së koronavirusit si dhe për njohjen e vlerave përparimtare të vendit.

"Ky udhëtim është një njohje e suksesit të Tajvanit në luftën ndaj COVID-19 dhe dëshmi e besimit të përbashkët se shoqëritë e hapura e demokratike janë të pajisura më mirë për të luftuar kërcënimet që vijnë nga sëmundje si COVID-19", tha një zyrtar i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane për gazetarët përpara udhëtimit drejt Tajvanit.

Tajvani ka regjistruar më pak se 500 raste me COVID-19 dhe vetëm shtatë vdekje që nga fillimi i pandemisë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat