Vendet arabe mbështesin zgjatjen e sanksioneve ndaj Iranit

Azia

Vendet arabe mbështesin zgjatjen e sanksioneve ndaj Iranit

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 08:38
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Foto nga arkivi.

Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit përmes një letre dërguar në Kombet e Bashkuara, ka dhënë pëlqimin për një zgjatje të embargos së armëve ndaj Iranit.

Embargoja përfundon në muajin tetor dhe Shtetet e Bashkuara janë duke bërë trysni që Këshilli i Sigurimit sa më parë të miratojë një rezolutë për të zgjatur afatin e saj.

Kombet arabe që përbëjnë këshillin - Bahrejni, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe - e dërguan letrën më 9 gusht.

Letra, e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Nayef al-Hajraf, thotë se që kur u nënshkrua marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe superfuqive më 2015, "Irani nuk ka pushuar ose hequr dorë nga ndërhyrjet e armatosura në vendet fqinje, direkt dhe përmes organizatave dhe lëvizjeve të armatosura dhe trajnuar nga Irani ".

"Prandaj do të ishte e papërshtatshme të hiqni kufizimet derisa Irani të braktisë aktivitetet e tij destabilizuese në rajon dhe të pushojë së siguruari armë për organizatat terroriste dhe sektare", thuhet në letër.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi e quajti letrën "të papërgjegjshme, që i shërben interesave të SHBA-së”, njoftoi televizioni shtetëror iranian.

Kombet e Bashkuara e ndaluan Iranin të blinte sisteme të mëdha armësh të huaja më 2010 në mes të tensioneve për programin e tij bërthamor.

Embargoja e ka ndaluar Iranin të blejë armë konvencionale si avionë luftarakë, tanke dhe anije luftarake.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka paralajmëruar se nëse lejohet që kjo embargo të skadojë, atëeherë do të destabilizohej më tej Lindja e Mesme; do t'i vinte Izraelin dhe Evropën në rrezik dhe do të rrezikonte jetërat në SHBA.

Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë këtë javë një votim në Këshillin e Sigurimit për të zgjatur embargon, tha Pompeo.

Nëse Këshilli i Sigurimit nuk e pengon Iranin të blejë dhe të shesë armë, Uashingtoni ka thënë se do të shkaktojë një "kthim të shpejtë" të të gjitha sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat