Kina dhe India me akuza të ndërsjella për incidentin kufitar

Azia

Kina dhe India me akuza të ndërsjella për incidentin kufitar

Më: 8 shtator 2020 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

India dhe Kina kanë bërë akuza të ndërsjella për veprime ushtarake në zonën e tyre kufitare të kontestuar, pas të shtënave paralajmëruese, derisa bisedimet për uljen e tensioneve po vazhdojnë midis dy fqinjëve që posedojnë armë bërthamore.

Ministria e Jashtme kineze akuzoi trupat indiane për kalimin e paligjshëm të vijës kufitare dhe të shtënat paralajmëruese në incidentin e 8 shtatorit.

Nuk raportohet për viktima.

Zyrtarët indianë i hodhën poshtë akuzat dhe thanë se trupat kineze kishin kryer një “provokim të rëndë” duke u përpjekur të rrethonin një post ushtarak dhe duke qëlluar me të shtëna paralajmëruese.

Tensionet në rajonin Ladak filluan në muajin maj. Ministrat e mbrojtjes të Kinës dhe Indisë diskutuan për situatën më 4 shtator, por nuk arritën sukses në uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Incidenti i fundit ndodhi afër liqenit Pangong në një zonë të njohur nga kinezët si Shenpaoshan dhe Çushul nga pala indiane.

Koloneli Aman Anand, një zëdhënës i ushtrisë indiane, akuzoi Kinën për vazhdimin e “aktiviteteve provokuese për të përshkallëzuar” situatën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat