Koalicioni saudit kryen sulme ajrore në kryeqytetin e Jemenit

Azia

Koalicioni saudit kryen sulme ajrore në kryeqytetin e Jemenit

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 13:13
Jemen

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite ka nisur sulme ajrore në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës në dy lokacione të kryeqytetit të Jemenit, Sana, që kontrollohet nga lëvizja Houthi, bëri të ditur një zëdhënës i këtij koalicioni.

Ky zëdhënës dhe banorët lokalë thanë se koalicioni ushtarak i kreu nëntë sulme ajrore mbi një kamp ushtarak dhe në selinë qendrore të aparatit kombëtar të sigurisë, shkruan Reuters.

Zëdhënësi i forcave jemenase në Hodeidal, Waddah Al-Debeish, tha se koalicioni e kishte cak një takim të liderëve të lartë të grupit Houthi në këtë kamp.

Bombardimet në Sana kanë qenë relativisht të rralla që nga shtatori i vitit të kaluar, kur Arabia Saudite nisi bisedime të tërthorta me lëvizjen Houthi, e cila është në luftë që nga viti 2015.

Ky konflikt e ka shkaktuar atë që Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar si krizën më të rëndë humanitare në botë. Miliona njerëz janë të prekur nga uria dhe janë të rrezikuar të vdesin prej saj.

Rebelët Houthi e morën nën kontroll shumicën e qyteteve dhe kryeqytetin Sana në vitin 2014 pasi e rrëzuan qeverinë e ish-kryeministrit Abd-Rabbu Mansour Hadi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat