Omani e mirëpret normalizimin e raporteve mes Izraelit dhe Bahrejnit

Azia

Omani e mirëpret normalizimin e raporteve mes Izraelit dhe Bahrejnit

Më: 13 shtator 2020 Në ora: 10:29
Foto ilustrim

Mediet shtetërore në Oman kanë raportuar se qeveria e këtij vendi e ka mirëpritur normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Bahrejnit dhe shpreson që ky hap do të kontribuojë në paqen mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Bahrejni të premten u bë shteti i dytë i Gadishullit Arabit që i normalizoi raportet me Izraelin pasi të njëjtën gjë më herët e bënë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan Reuters.

“Omani shpreson se kjo rrugë e re strategjike, e marrë nga disa vende arabe, do të kontribuojë në sjelljen e paqes duke u bazuar në fundin e okupimit të tokave palestineze nga Izraeli dhe në krijimin e shtetit të pavarur palestinez me Jerusalemin lindor kryeqytet”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Omanit.

Ministri izraelit i Inteligjencës disa ditë më parë tha se edhe Omani mund t’i normalizojë raportet me Izraelin. Omani i ka mirëpritur vendimet e Emirateve të Bashkuara dhe Bahjrenit, por nuk ka treguar për pozicionin e vet sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.

Në vitin 2018, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e vizitoi Omanin dhe atje diskutoi për nismat e paqes në Lindjen e Mesme me ish-liderin Sultan Qaboos.

Në një rajon të trazuar, Omani e ka ruajtur qëndrimin neutral, duke mbajtur raporte miqësore me Shtetet e Bashkuara dhe Iranin, që njëra-tjetrën e cilësojnë si armike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat