Kim Jong Un kërkon falje për incidentin me Korenë e Jugut

Azia

Kim Jong Un kërkon falje për incidentin me Korenë e Jugut

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 17:50
Kim Jong Un

Seuli tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ofroi ndjesë si rrallë herë të premten, pas vrasjes së një zyrtari civil të Koresë së Jugut pranë kufirit të debatueshëm detar mes dy vendeve.

Ushtria e Koresë së Jugut të enjten akuzoi forcat koreano-veriore për vrasjen dhe djegien e zyrtarit, për të cilin Seuli beson se mund të ketë qenë duke u përpjekur të dezertonte në Veri.

Sipas një deklarate të zyrës presidenciale e Koresë së Jugut, Kim kërkon "thellësisht ndjesë" që i ka zhgënjyer koreano-jugorët për incidentin. Në deklaratë thuhet se vdekja ishte "e padrejtë" dhe "nuk duhet të kishte ndodhur".

47-vjeçari u zhduk të hënën nga anija e tij patrulluese rreth 10 kilometra në jug të kufirit de facto ndër-korean. Zyrtarët e Seulit dyshojnë se personi në fjalë i cili thuhet se kishte probleme financiare dhe çështje të tjera personale, u hodh në det me një pajisje lundrimi.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se pasi u diktua në det nga trupat e Koresë së Veriut, ai u mor në pyetje, u qëllua për vdekje, u lag me naftë dhe iu vu zjarri, me sa duket me urdhër nga një epror.

Koreja e Veriut dha një version tjetër. Ajo thotë se trupat kufitare, duke ndjekur udhëzimet për koronavirusin, gjuajtën 10 herë me armë në drejtim të burrit nga një distancë. Kur iu afruan pajisjes së tij të lundrimit, panë vetëm gjak. Ata më pas i vunë zjarrin pajisjes lundruese, thuhej në deklaratë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat