Samiti G-20 në Riad, në fokus mbrojtja e jetëve dhe rritja ekonomike

Azia

Samiti G-20 në Riad, në fokus mbrojtja e jetëve dhe rritja ekonomike

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 13:23
Samiti G-20 në Riad

Takimi i sivjetshëm i G20-ës do të mbahet në Arabinë Saudite. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, ky samit do të mbahet online. Në fokus do të jetë mbrojtja e jetëve dhe rikthimi i rritjes ekonomike pas pandemisë që ndikoi në financat botërore.

Mediet saudite njoftojnë se samiti do të mbahet në datat 21 dhe 22 nëntor në kryeqytetin e Arabisë, në Riad.

Takimi i liderëve të 20 vendeve më të industrializuara të botës  do të drejtohet nga Mbreti Saudit Salman bin Abdulaziz Al Saud dhe fokusi do të jetë në “mbrojtjen e jetës dhe rivendosjen e rritjes ekonomike, duke adresuar dobësitë e shfaqura gjatë pandemisë dhe duke hedhur themelet për një të ardhme më të mirë”.

Në deklaratën e lëshuar mësohet se G20-a ka kontribuar me mbi 21 miliardë dollarë për të mbështetur prodhimin, shpërndarjen dhe mundësinë e diagnostikimit, terapeutikës dhe vaksinave për Covid-19-ën.

Po ashtu, sa i përket financave globale dhe mundësisë së një recesioni të thellë, për të parandaluar efektet negative, vendet e G20-ës kanë alokuar një shumë prej 9.5 trilion eurosh në ekonominë botërore.

Po ashtu, në vijim, deklarata e lëshuar njofton për një negocim për borxhet e vendeve më pak të zhvilluara, që të kenë mundësi që paratë t’i invesotojnë për çështje të brendshme sociale dhe infrastrukturë më të mirë mjekësore.

Arabia Saudite, eksportuesi më i madh në botë i naftës dhe një aleat kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e merr kryesimin e këtij samiti në një kohë kritikash të rënda ndaj vendit sa i përket të drejtave të njeriut pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, në 2018-ën, dhe luftës në Jemen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat