Dënohet me vdekje edukatorja kineze që helmoi 25 fëmijë të çerdhes për hakmarrje ndaj koleges

Azia

Dënohet me vdekje edukatorja kineze që helmoi 25 fëmijë të çerdhes për hakmarrje ndaj koleges

Më: 29 shtator 2020 Në ora: 09:42
Foto Ilustrim

Një gjykatë në Kinë e ka dënuar me vdekje një edukatore për helmimin e 25 fëmijëve, njëri prej të cilëve vdiq.

Wang Yun u arrestua vitin e kaluar në një çerdhe fëmijësh në qytetin Jiaozuo. Fëmijët ishin dërguar në spital me shenja të helmimit pasi e kishin ngrënë ushqimin e mëngjesit.

Gjykata tha se edukatorja kishte vendosur nitrit natriumi në ushqimin e fëmijëve për të cilët kujdesej kolegia e saj si hakmarrje pas një dështimi, shkruan BBC.

Incidenti kishte ndodhur më 27 mars të vitit të kaluar, duke e shokuar tërë Kinën dhe duke u bërë lajm edhe në mediet botërore.

Në atë kohë ishte raportuar se 23 fëmijë kishin të vjella pasi kishin ngrënë mëngjes. Policia i kishte filluar hetimet pas dyshimeve se fëmijët janë helmuar nga edukatorja.

Njëri nga fëmijët e helmuar vdiq në janar pasi kishte qëndruar për dhjetë muaj në spital.

Gjykata kineze tha se kjo nuk është hera e parë që zonja Yun helmon njerëz pasi më parë kishte blerë nitrit përmes internetit për ta helmuar bashkëshortin e saj.

Ndryshe, nitriti i natriumit shpesh përdoret si shtesë në ushqime të ndryshme, por mund të jetë helmues, nëse përdoret në sasi të madhe.

Ndonëse Kina nuk e publikon numrin e personave që i ekzekuton, grupet për të drejtat e njeriut besojnë se në këtë shtet çdo vit kryhen mijëra ekzekutime nga autoritetet. Dënimi me vdekje zbatohet përmes injeksionit vdekjeprurës ose me qitje armësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat