India liron të gjithë të akuzuarit për sulmin në xhami më 1992

Azia

India liron të gjithë të akuzuarit për sulmin në xhami më 1992

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 19:17
Xhamia Babri - foto arkivi

Një gjykatë në Indi liroi të 32 njerëzit e akuzuar për përfshirje në sulmin dhe prishjen e një xhamie, afro 30 vjet më parë.

Incidenti pati nxitur dhunën e myslimanëve, e cila pati lënë të vrarë rreth 2,000 njerëz.

Disa udhëheqës të partisë qeverisëse hinduse në Indi “Bharatiya Janata” kanë qenë në mesin e të akuzuarve, që u liruan të mërkurën.

Ata i kanë mohuar akuzat se i kanë nxitur turmat hinduse të shkatërrojnë xhaminë Babri të shekullit 16, në qytetin Ajodia, në dhjetor të vitit 1992.

Hindusët besojnë se xhamia është ndërtuar në vendin e lindjes së Perëndisë së tyre Ram.

Akuzat janë ngritur kundër 49 personave në vitin 1993, por 17 prej tyre tashmë kanë vdekur.

Tridhjetedy të akuzuarit e mbetur u shpallën të pafajshëm të mërkurën nga një gjykatë speciale, e cila konstatoi se prishja e xhamisë është bërë nga "elementë anti-shoqërorë" dhe se nuk ka prova se ajo ka qenë e paramenduar.

Gjykimi pritet të shtojë ndjenjën e pakënaqësisë dhe margjinalizimit në mesin e pakicës myslimane në Indi, e cila numëron rreth 200 milionë banorë.

Gjykimi vjen gati një vit pasi Gjykata e Lartë e Indisë u dha tokën e diskutueshme hindusëve - duke i dhënë fund betejës së gjatë ligjore mbi pronësinë e saj - ndërsa myslimanëve u dha një tokë tjetër në Ajodia për të ndërtuar xhaminë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat